Kombëtarja zbret në fushë, nisin përgatitjet për sfidën e parë të shtatorit ndaj Çekisë

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet në fushë për dy ndeshjet e kualifikueseve të Euro 2024, ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë. Departamenti Komunikimit në FSHF bën me dije se të fundit që i janë bashkuar ekipit pas impenjimeve me klubet kanë qenë Arbnor Muja, Etrit Berisha, Ylber Ramadani apo edhe Ivan Balliu.

Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe stafit tekniku, lojtarët kanë zhvilluar një seancë stërvitore në fushat e Shtëpisë së Futbollit, teksa programi ka qenë i kombinuar për shkak se disa prej lojtarëve kanë luajtur ndeshje me klubet gjatë të dielës dhe kishin nevojë për sa më pak ngarkesa.

Më konkretisht, Ylber Ramadani, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Arbnor Muja, Ernest Muçi, Elseid Hysaj dhe Elhan Kastrati kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar mes palestrës dhe ushtrimeve fizike në fushë pa top.

Ndërkaq, pjesa tjetër e lojtarëve përveç ushtrimeve fizike, është angazhuar në një ndeshje kontrolli së bashku me lojtarët e Kombëtares U-19, që është e grumbulluar në Tiranë duke u përgatitur për dy miqësoret ndaj Azerbajxhanit.

Vetëm mesfushori Qazim Laçi është lënë pushim sot për shkak të gjendjes gripale, me lojtarin që po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Kombëtarja do të vijojë përgatitjet edhe të martën me një tjetër seancë stërvitore dhe mëngjesin e të mërkurës do të udhëtojë drejt Pragës për duelin e parë zyrtar të shtatorit.

Shqipëria do të përballet me Republikën Çeke më 7 shtator, ora 20:45, me ndeshjen që luhet në stadiumin “Fortuna Arena” dhe është nga më të rëndësishmet e kësaj fushate kualifikuese.

Sergio Ramos rikthehet te Sevilla

Fitore Aliu i shënon gjashtë gola ndaj skuadrës së Bundesligës gjermane