Një kamp tjetër disaditor është duke u mbajtur nga Federata e Futbollit e Kosovës. Pas kampit të Kombëtares U17, këto ditë në Kampin Nacional në Hajvali është bërë grumbullimi i futbollisteve nën 19-vjeç.
Përmes këtij grumbullimi, FFK synon të sigurojë një numër sa më të madh të vajzave të cilat e kanë talent futbollin dhe me dëshirë duan ta përfaqësojnë kombëtaren e Kosovës në këtë grupmoshë. Grupi i futbollisteve të grumbulluara i përkasin gjeneratës 2005/2006 dhe përbëhet nga futbolliste vendore dhe ato nga diaspora.
Përzgjedhësja e kësaj grupmoshe, Albina Rrahmani tha se kanë përfituar nga periudha e pushimeve dhe vizitat që vajzat nga diaspora kanë bërë në Kosovë, derisa e konsideron si mundësi të mirë për të dyja palët. Sipas Rrahmanit, vajzat kanë potencial dhe nga performanca e mirë e tyre shpreson të krijohet jo vetëm një ekip i mirë i U19 por edhe ekipet tjera zinxhirë.
Nga ana tjetër futbollistet nga diaspora, Laureta Crnaveri dhe Ajlina Demaj u shprehen të lumtura për ftesën që u është bërë, derisa me kënaqësi presin të përfaqësojnë Kosovën. Për atmosferën në kampin e Dardaneve foli edhe lojtarja vendore Bardha Gjonbalaj, e cila tha se i kanë mirëpritur vajzat nga diaspora dhe se bashkë po e shijojnë këtë grumbullim të shkurtër i cili po mbahet në Kampin Nacional në Hajvali.
Për më shumë ndiqeni videon e mëposhtme: