Kombëtarja e Kosovës U17 e vajzave ka nisur sot grumbullimin pesëditor në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2025, që do të zhvillohen prej 30 tetorit deri më 11 nëntor në Shqipëri. Dardanet U17 janë pjesë e Grupit B4 të Ligës B, ku janë edhe Shqipëria dhe Izraeli.
“Kemi një kamp pesëditor, ku të gjitha vajzat janë vendore. Është parapërgatitje për ndeshjet kualifikuese për ndeshjet në fund të tetorit e fillim të nëntorit në Shqipëri. Ne jemi duke punuar nën stop dhe të gjitha vajzat e gjeneratës 2008 dhe 2009 jemi duke i vëzhguar në mënyrë që të kemi një ekip sa më kompakt për ndeshjet kualifikuese. Sigurisht se edhe dy miqësoret kundër Malit të Zi do të na shërbejnë për këtë qëllim”, ka theksuar përzgjedhësja Krasniqi.
Futbollistja Altuna Hyseni u shpreh optimiste para dy miqësoreve me moshataret e tyre nga Mali i Zi. “Stërvitja ka kaluar shumë mirë dhe ka qenë pa ngarkesë të madhe, ngase brenda pak ditësh do t’i kemi dy miqësore. Presim që të fitojmë në këto dy ndeshje sepse ato na ndihmojnë për kualifikueset e nëntorit, ku po ashtu kemi shpresa të mëdha për kualifikim në Ligën A”, tha Hyseni.
Në kuadër të grumbullimit të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit do të luajnë dy miqësore kundër Malit të Zi. Këto ndeshje zhvillohen në Kampin Nacional në Hajvali.
Testi i parë luhet të mërkurën në orën 17:00, derisa testi i dytë të premten në orën 10:30. Për këto miqësore përzgjedhësja Krasniqi ka në dispozicion 23 futbolliste, që të gjitha nga ekipet vendore.