Kombëtarja U-15 merr pjesë në turneun “Josip Katalinski Škija” në Bosnje-Hercegovinë

Kombëtarja shqiptare U-15 do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Josip Katalinski Škija” që do të zhvillohet në Bosnje – Hercegovinë në datat 3-5 maj 2022. Ky është një turne tradicional që organizohet nga Federata Boshnjake çdo vit dhe në këtë edicion do të marrë pjesë edhe vendi ynë.

Në këtë turne do të marrin pjesë 4 ekipe, Shqipëria U-15, vendi pritës, Bosnje – Hercegovina U-15 si edhe skuadra më e mirë e Sarajavës U-15 dhe ekipi më i mirë i Beogradit U-15.

Çdo skuadër do të zhvillojë dy ndeshje. Kuqezinjtë e vegjël të drejtuar nga Armand Dama do të përballen me Bosnje – Hercegovinën më 3 maj, në ora 17:00 në stadiumin “FK Famos Hrasnica”, ndërsa më 4 maj, do të zhvillohet ndeshja tjetër mes ekipit më të mire të Sarajevës dhe skuadrës më të mirë të Beogradit. Më 5 maj do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera për vendin e parë dhe vendin e tretë, ku ekipet fituese që do të dalin nga sfidat e para, do të luajnë për të shpallur fituesin e turneut.

Në ditët në vijim, trajneri Armand Dama do të bëjë publike listën me lojtarët e ftuar të datëlindjes 2008 për këtë turne, me skuadrën që do të nisë së shpejti edhe grumbullimin.

Kjo është pasuria e boksierit shqiptar, Florian Marku

Ngjarje e pazakontë në Mali të Zi, gjyqtari ndërpreu ndeshjen dhe i propozoi një basketbollisteje