Kombëtarja e hendbollit mbyll stërvitjet në Prishtinë, të mërkurën i pret sfida me Malin e Zi

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka përfunduar stërvitjet në Prishtinë për ndeshjen ndaj Malit të Zi, që luhet të mërkurën në Podgoricë (20:30).

 

Të hënën Kombëtarja ka mbajtur dy stërvitje me intensitet të lartë, ndërsa lojtarët janë parë shumë të motivuar për të dhënë më të mirën në Podgoricë, njofton FHK, raporton Gazeta Olle.

 

Ndeshja me Malin e Zi vlerësohet e vështirë, por të gjithë premtojnë më të mirën. Kombëtarja të martën udhëton për në Podgoricë, ku do të ketë edhe një stërvitje tjetër.

Shpirti luftarak është parë edhe në stërvitjet e së hënës, ndërsa ai do të dal në pah sidomos në ndeshje. Grupi është i bashkuar dhe kjo ka qenë në ndeshjet e fundit forca kryesore e Kosovës.

“Nëse luajmë të bashkuar ashtu si në Itali, nëse të gjithë japim më të mirën, atëherë besoj se kemi gjasa të mira për paraqitje dinjitoze, një që i bën nder vendit”, ka thënë kapiteni Valon Dedaj.
Të gjithë premtojnë maksimumin për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të prezantuar veten e kombëtaren. Për të përfaqësuar vendin me dinjitet e krenari.