KOK-u takohet me Bach

Presidenti i Komitetit Olimpike të Kosovës, Besim Hasani dhe nënkryetari Fatmir Makolli kanë takuar sot në Lozanë të Zvicrës, presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Presidenti Hasani e informoi z. Bach me të arriturat e sportit të Kosovës që prej pranimit në KON si dhe sfidat të cilat mbesin. Ai tha se është duke u punuar në vazhdimësi në avancimin e menaxhimit të federatave dhe klubeve si dhe hartimin e të gjitha akteve të nevojshme për një funksionim sa më të mirë. Po ashtu ai e informoi presidentin Bach edhe për investimet që po bëhen në infrastrukturë sportive.

Një temë e veçantë e diskutimit ishte përgatitja e Kosovës për pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro që mbahen në muajin gusht të këtij viti. Presidenti Hasani tha se ekipi olimpik I Kosovës po bën të gjitha përgatitjet për të pasur një paraqitje dinjitoze në garat më të mëdha sportive në botë.

Gjithashtu u diskutuar edhe për hapin e fundit të ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës, që është pranimi në UEFA dhe FIFA, për çka u tha se priten lajme të mira qysh në fillim të muajit maj.

Nga ana e tij presidenti Bach përgëzoi krerët e KOK-ut për punën që kanë bërë dhe po bëjnë në promovimin dhe zhvillimin e sportit, në veçanti tek gjeneratat e reja. Ai premtoi ndihmë të vazhdueshme.

Presidenti Hasani dhe nënkryetari Makolli po marrin pjesë në samitin e SportAccord, që është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të krerëve të sportit në botë. Aty ata kanë takuar edhe shumë homologë të tyre dhe zyrtarë të shumtë të sporteve nga shumë shtete.