Klubi zviceran nuk dorëzohet për lojtarin e Kombëtares

Grasshopersi i Zurichut nuk lëshon pe për Amir Abrashin. Ata deklarojnë haptazi se ende nuk janë dorëzuar për lojtarin e Kombëtares shqiptare, me të cilin po kërkojnë vazhdimin e kontratës.

Të kundërtën po e kërkon mesfushori, që dëshiron të transferohet në ndonjë klub më të madh.

Ai thuhej se është shumë afër Werder Bremenit në Gjermani, kurse në ditët e fundit u raportua për një kalim të mundshëm tek Baseli.

Axel Thoma, drejtor sportiv i Grasshopersit, ka deklaruar sot për mediat zvicerane, se nuk janë dorëzuar për Abrashin. “Amir Abrashi është një top lojtar për neve, që e ka dëshmuar veten me klubin tonë. Natyrisht, ne duam që ai të qëndrojë me ne. Por, është e qartë se ne nuk do të mund t’ia dalim. Ai ka disa kërkesa nga jashtë, prandaj nuk mund ta mbajmë gjatë. Sidoqoftë, ne ende jemi duke mos u dorëzuar për të”, deklaroi Thoma për ‘sport.ch’, transmeton gazetaolle.com.

I pyetur se cili është parashikimi i tij për vendimin e Abrashit, Thoma shtoi: “Është e vështirë për ta thënë. Në këtë moment të gjithë po presim. Do të ulemi sërish në tavolinë”. (Gazeta Olle)