Klubi i shuar i futbollit vendor, pjesë e skemës së vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Një hulumtim i Gazetës Insajderi, hedhë dritë mbi një skemë të vjedhjes së shpërndarjes së mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit. Insajderi, ka zbuluar se në këtë vjedhje është përfshirë firma e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, ish-shef i kabinetit të Pal Lekajt, dhe anëtar i Kryesisë së AAK-së. Të gjithë këta janë të lidhur me firmën “LDA Group SH.PK. Kësisoj, kjo vjedhje lidhet me firma të njerëzve të fuqishëm të partive politike. 

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera. Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.

Raportohet se 261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala.

Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Përpos tërheqjes në formë kesh dhe elektronike të 266 mijë e 572 eurove nga xhirollogaritë e firmës, Valon e Kadri Shala kanë transferuar 26 mijë euro në xhirollogarinë e Klubit Futbollistik “KF Gryka e Llapushnikut” – një klubi të shuar futbolli, të cilin e kishte drejtuar Kadri Shala disa vjet më parë.

Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K. ndodhen në arrati që nga e marta. Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove.