Portieri, Armend Rugji gjatë ditës së sotme ishte cak i sulmeve nga klubi i tij Rilindja 1974.
Sipas klubit të tij, dyshohet se ai i ka lëshuar dy gola në ndeshjen e fundit ndaj Drenicës, me ç’rast edhe ndeshja ishte humbur me rezultat, 1:2.
Klubi nga Liga e Parë i ka postuar videot në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, madje ka kërkaur nga FFK-ja dhe nga organet tjera që ta hetojnë si rast.
Në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Express”, ka folur portieri Armend Rugji, i cili i ka mohuar kategorikisht këto akuza.
Ai tha se për 20 vite karrierë e ka dhënë atomin e fundit nga vetja për secilën skuadër që e ka djersitur fanellën.
“Pikë së pari, unë jam në futbollin aktiv qe së paku 20 vjet dhe kudo që kam mbrojtur, jam munduar që t’i përfaqësoj skuadrat e mia me nder dhe i kam djersitur fanellat duke e dhënë edhe atomin e fundit nga vetja. Nuk e di se ku janë bazuar ata që më akuzojnë”, tha fillimisht ai për “Express”.
Tutje, ai dha se kjo mund t’i ndodh çdo portieri, madje ka pasur raste kur kanë ndodhur edhe në Evropë dhe nuk është akuzuar askush.
“Ne jemi njerëz, secili gabon, nuk e ka ditën e tij. Kjo iu ndodh edhe lojtarëve, por roli i portierit është më i ndjeshëm dhe gabimet janë më evidente dhe bien më shumë në sy. Nuk jam i vetmi portier që gabon, kemi raste edhe në Evropë që kanë gabuar portierët e njohur dhe a i ka akuzuar ndokush ata që e kanë kurdisur lojën? Unë deri më sot nga askush nuk jam akuzuar për kësi lloj veprimesh të kurdisjes së ndeshjes. Kjo është lojë e futbollit, ku mund të ndodhin gabimet”, shtoi tutje Rugji.
Për fund ai tha se do të bisedojë edhe me drejtuesit e klubit për këtë punë.
“Ju betohem se nuk ka pasur asnjë lloj kurdisje, thjesht nuk ishte dita e ime. Do të bisedoj me drejtuesit e klubit dhe më pas të shohim se çka do të vendosim bashkërisht”, përfundoi Rugji.
Rilindja 1974 bën gara në Ligën e Parë të futbollit në Grupin A dhe pas katër xhirosh është në vendin e gjashtë.