Klubi danez i bindur: Kosovarët kanë kurdisur ndeshjen tonë

Te klubi elitar i hendbollit nga Danimarka, GOG, dyshojnë fuqishëm se ndeshja e tyre në kuadër të fazës grupore të Ligës Evropiane është kurdisur prej disa bastvënësve nga Kosova.

Ndeshja Kadetten Schaffhausen – GOG ishte luajtur më 20 tetor në Schaffhausen të Zvicrës. Fitore kishte shënuar skuadra vendase me një gol dallim, 29:28. Goli i fitores ishte shënuar nga penalltia në sekondat e fundit.

Mediat daneze menjëherë të nesërmen ishin marrë me këtë ndeshje, duke shprehur dyshime për kurdisjen e saj. Të martën me të njëjtën çështje është marrë sajti i televizionit danez, TV 2. Në një tekst të gjatë, “sport.tv2.dk”, ka prezantuar, ndër të tjera, edhe numra telefonikë nga Kosova, prej të cilëve janë thirrur danezët para e pas ndeshjes. Thirrje prej numrave me prefiks të Kosovës kanë pranuar trajneri i skuadrës daneze, Nicolej Krickau e madje edhe babai i tij.

“Edhe sot kur i analizoj të gjitha informatat që i kemi, jam plotësisht i bindur që ndeshja ishte e kurdisur. Jo nga ana e Kadetten, por nga ana e bastvënësve në Kosovë”, ka thënë trajneri Krickau për “TV 2 SPORT”.

Ai kishte pasur ndjenjë të çuditshme me të përfunduar ndeshja në Schaffhausen.

“Gjatë ndeshjes, kemi menduar se ka pasur gjëra të çuditshme, por kemi pasur përvojë të tillë nga udhëtimet në Evropë. Po, ishte përtej saj, ishte jonormale”, ka shtuar trajneri danez.

Ai menjëherë pas ndeshjes kishte kuptuar se thirrje me numra të Kosovës i ishin bërë edhe babait të tij. Babait të trajnerit i ishin bërë thirrje para ndeshjes.

Këtë ndeshje e drejtuan dy arbitra kosovarë, Arsim dhe Erdoan Vitaku, që kanë përvojë të gjatë në Evropë. Danezët kanë kritikuar ashpër arbritrat kosovarë për disa vendime, sidomos në fund të ndeshjes.

Mediumi danez edhe të martën ka shkruar për gjykimin e arbitrave kosovarë, por pa bërë ndonjë lidhje direkte të punës së tyre në parket me kurdisjet.

Arsim e Erdoan Vitaku nuk kanë drejtuar ndeshje në gara evropiane prej atëherë. EHF-ja ka njoftuar se ata nuk do të delegohen deri në një analizim të detajuar të asaj ndeshje në Zvicër.

Arbritrat kosovarë ndihen plotësisht të pastër dhe mohojnë mundësinë e përfshirjes në gjëra të paligjshme. Madje ata mohojnë edhe që të kenë ndikuar në rezultat.

“Ne kemi referuar atë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme. Madje jemi vlerësuar shumë lart nga delegati për punën që kemi bërë. Nota për ne ka qenë shumë e mirë. Pas ndeshjes nuk është ankuar askush. Kemi qëndruar me delegatin dhe ai na ka përgëzuar për punën që e kemi bërë. Nuk ka pasur asnjë ankesë pas ndeshjes prej klubeve. Sa i takon penalltisë, ajo ka ekzistuar. Në secilën ndeshje do të kishim kriter të njëjtë dhe do të mund të kishte ankesa. Danezët humbjen po mundohen ta arsyetojnë duke hedhur fajin diku tjetër. Ne jemi të pastër plotësisht dhe të hapur për çdo lloj hetimi. Përgjigjemi për të gjitha”, ka thënë të martën për KOHËN, arbitri Arsim Vitaku.

EHF-ja po mbanë larg zhvillimeve arbritrat kosovarë, edhe pse nuk ka dyshime për përfshirjen e tyre.