Klubi anglez nuk heq dorë, të vendosur për transferimin e Milot Rashicës

Synimi i Aston Villas është përforcimi në fazën e sulmit, dhe Milot Rashica shihet nga ta si lojtari i duhur.

Reprezentuesi i Kosovës ishte i lidhur me një kalim te skuadra angleze në verën e vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, por që kjo lëvizje nuk ndodhi.

Mirëpo, spekulimet nuk janë ndalur dhe sulmuesi vushtrrias vazhdon të jetë i lidhur me një transferim në “Villa-Park”.

Sipas medieve angleze, Aston Villa është duke monitoruar 24 vjeçarin dhe mund të tentohet transferimi i tij gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, nëse Rashica vazhdon me formën e mirë.

Nga Aston Villa besohet se janë të gatshëm të paguajnë deri në 25 milionë euro për një lojtar që do t’ia përforconte fazën e sulmit, e që ky lojtar mund të jetë ish-sulmuesi i Llamkos Kosovës.

Ndryshe, Milot Rashica ka kontratë të vlefshme me Werder Bremenin deri më 30 qershor të vitit 2022.