Klubet në Itali, drejt krizës

Mungojnë paratë në Serinë A. Një kontradiktë kjo në aspektin e termave për një industri që arrin të arkëtojë 1.7 miliardë euro dhe që sikurse i gjithë futbolli botëror, ka mundur të shmangë recesionin, ndryshe nga pjesët e tjera të ekonomisë.

Niveli i kostove mbetet ende i lartë, çka ka sjellë edhe rritjen e borxheve me më shumë se 100 milionë euro gjatë 12 muajve të fundit. Nga 1 miliard e 572 milionë euro që ishte për sezonin 2012-2014, në 1 miliard e 715 mililonë për vitin e fundit. Krahasuar me shifrat e sezonit 2009-2010 kemi një rritje 27% të borxheve. Një e dhënë kjo alarmante pas studimit të bilanceve të klubeve të Serisë A.

Rasti “Parma” është vetëm maja e ajsbergut, por kjo nuk do të thotë se klubet e tjera janë drejt falimentimit. Vështirësitë në likuiditet kanë bërë që të rriten kreditë.

Shqetësimi më i madh lidhet me faktin se klubet e Serisë A e kanë të pamundur të shlyejnë borxhet me burimet e tyre. Sepse situata ekonomike në përgjithësi nuk po përmirësohet. Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve vazhdon të thellojë borxhet. Për vitin e fundit kjo diferencë ishte -188 milionë, disi më mirë se një vit më parë, por që mbetet sërish në anën negative. 12 nga 20 klubet e elitës së futbollit italian janë me deficit. Skuadrat më të ardhura më të larta janë Napoli me 20.2 milionë euro, Lazio me 7.1 milionë dhe Verona me 3.5 milionë Euro. Ndërsa klubet që kryesojnë me bilancet negativ janë Interi me minus 102.4 milionë Euro, Roma me -38.8 milionë dhe Milani me – 15.7 milionë Euro.