Klubet elitare akuzojnë FFK-në

Nuk do të ketë ndeshje futbolli në Kosovë gjatë mesjavës. Edhe pse ishin në planprogram për t’u luajtur tri ndeshje të rrethit të dytë të DigitAlb Kupës së Kosovës, ato do të shtyhen për një termin tjetër.

Në program ishte ndeshja Flamurtari – Drita të martën, kurse të mërkurën derbi Trepça – Trepça ’89 dhe Gjilani Ferizaj.

Ndërkohë, disa klube kanë reaguar ashpër ndaj FFK-së, lidhur me këtë fakt.

Zyrtari i Trepçës ’89, Ilir Bojku, thotë se pa asnjë arsye janë shtyrë ndeshjet. “Nuk po kuptojë se si ka mundësi që të shtyhen ndeshjet vetëm për hatër të dikujt. Nuk po kuptojë se si mund të njoftohen klubet kaq vonë për një ndeshje. Ne si klub përgatitemi gjatë për një ndeshje. Mund të thërrasim edhe ndonjë mysafirë ndërsa këta na njoftojnë në ditën e fundit”, ka thënë Ilir Bojku për Gazetën ‘Olle’.

Ka reaguar edhe trajneri i Dritës, Sadat Pajaziti. “Na kanë njoftuar vetëm në stërvitjen e fundit para ndeshjes, natyrisht jo në kohë. Nëse është e vërtet se janë ankuar klubet për shkak të orarit të ngjeshur, atëherë nuk e di se si duhet të veprojmë kur i kemi nga e hëna deri të dielën nga tri ndeshje”, deklaroi Pajaziti.