Klopp para takimit me Man City: Përballemi me ekipin më të mirë në botë në vitet e fundit

Jurgen Klopp ka folur para mediave në një konferencë për shtyp para përballjes me Manchester Cityn në kuadër të javës së 13-të në Ligën Premier. Dy ekipet e para në tabelë do të takohen në “Etihad” nesër (e shtunë), me fillim nga ora 13:30.

“Të Kuqtë” hyjnë në këtë përballje pas fitores me rezultat 3-0 ndaj Brentfordit para pushimit me kombëtare.

Ata janë të pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit në ligë dhe e kanë mundësinë të kalojnë në krye të tabelës në rast fitoreje.

Sa i përket përballjes me “Qytetarët”, ai ka thënë se e shtuna do të jetë një ditë shumë e vështirë për të dhe ekipin e tij.

“E shtuna është një ditë e vështirë, po përballemi me ekipin më të mirë në botë në vitet e fundit. Rekordi ynë si mysafir i Cityt nuk është i mirë, e di që do më thoni. Ata janë shumë të fortë, asgjë që them unë nuk mund t’i bëjë ata më të dobët, përndryshe do ta thoja vazhdimisht”, është shprehur Klopp.

“Nëse i bëjmë të ndihen të parehatshëm gjatë ndeshjes, kemi një shans. Nëse i lëmë të qetë të bëjnë lojën e tyre, asnjë ekip nuk ka shanse. Ndjej se jemi pak më afër këtë sezon, por ne duhet të fitojmë beteja vendimtare në fushë”, vazhdoi ai.

Sa i përket rivalitetit mes dy skuadrave, Klopp tha se nuk e di nëse është rivaliteti më i madhi, por pranoi që është ndeshja më e vështirë për të.

“A është rivaliteti më i madhi? Nuk e di, por është ndeshja më e vështirë që mund të luash prej vitesh. Tifozët do të vendosin rivalin, por nga pikëpamja e futbollit na duhej kohë për t’u bërë rival në fushë me ta”, deklaroi Klopp./Gazeta Olle/

50 shtete pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian të Xhudos, hyrja falas për të gjithë

Broja hyn në biznes me markën e njohur të veshjeve sportive në Kosovë e Shqipëri