Klevi Qefalija është çarë në kokë dhe ka pesë të qepura, por problemi më i madh ishte një krisje e kafkës

Klevi Qefalija deri dje në mbrëmje ishte mirë, por do të jetë nën monitorimin e mjekëve minimalisht për 48 orë.

qefalija

Lojtari është çarë në kokë dhe ka pesë të qepura, por problemi më i madh ishte një krisje e kafkës që kishte sjellë një hematomë të madhe që i bënte mjekët të rezervuar për gjendjen e lojtarit.

Menjëherë pas dëmtimit, me ambulancë lojtari i shoqëruar nga mjeku Arzen Voci, ndaloi në Durrës, por duke parë gjendjen jostabël, u morr vendimi që lojtari të transportohej në Tiranë te spitali i traumës.

Menjëherë futbollistit i është bërë një skaner për të parë ënjtjen dhe gjendjen e hematomës, si dhe i është qepur e çara që kishte në kokë.

Po kështu, edhe në mbrëmje është bërë një skaner i dytë për të riparë situatën.

Në fillim, gjendja shëndetësore nuk ka qenë e mirë sidomos me reagimet, ndërsa në mbrëmje gjithçka është qartësuar dhe lojtari ishte mirë, por edhe reagonte.

Gjithsesi, nëse hematoma që ka në kokë rritet, atëherë mjekët do të ndërhyjnë me një operacion.

Në mesnatë gjendja e lojtarit ka qenë stabël, por Qefalija do të jetë në monitorim të mjekëve për shumë kohë.

Klevi Qefalija luante dje ndeshjen e tij të 8-të në karrierën e tij të re të nisur nga fundi i sezonit të shkuar.

Falë ndërhyrjes së shpejtë e të menjëhershme të mjekëve të Tiranës e më pas atyre në spitalit, gjendja e lojtarit është përmirësuar dhe është shpëtuar një jetë.

NGJARJA – Minuta e 33-të e ndeshjes mes Egnatias dhe Tiranës në stadiumin e Rrogozhinës ka sjellë një episod mjaft të rëndë që ka shkaktuar panik në fushën e lojës.

Pas një përplasje kokë më kokë mes Hamzat të vendësve dhe Qefalijës të Tiranës, ky i fundit mbeti i shtrirë në tokë pa ndjenja.

Shokët e skuadrës shkuan ta ndihmonin dhe u pa menjëherë se situata ishte serioze.

Lojtarët e të dyja skuadrave bënë shenjë nga ambulanca pasi lojtari ishte i gjakosur dhe një pjesë e futbollistëve ishin të parët që ndihmuan për të nxjerrë barelën nga makina e cila u afrua me shpejtësi.

Për disa çaste kishte ankth dhe një situatë shumë të rënduar pasi lojtarët e Tiranës, sidomos disa prej atyre që kishin qenë pranë lojtarit pas përplasjes, ishin të tronditur dhe të përlotur.

Përgjoni, Xhixha e Bekaj, por edhe të tjerët nuk mbajtën dot lotët, dukshëm të shqetësuar për shokun e skuadrës, i cili u largua me ambulancë drejt spitalit.

Më pas, delegati i FSHF-së hyri në fushën e lojës për të marrë vendimin nëse ndeshja do të rifillonte, pasi situata ishte shumë e rënduar dhe sidomos lojtarët bardheblu nuk donin të rifillonin sfidën pa marrë lajme nga shoku i tyre.

Pas rreth 10 minutash, erdhi lajmi nga spitali se Qefalija ishte përmendur dhe kjo iu komunikua futbollistëve nga drejtuesit e Tiranës, me lojtarët që pranuan të ktheheshin përsëri në fushë për të vazhduar ndeshjen.

REAGIMI – Pas mesnatës ka reaguar edhe klubi Tirana, duke qetësuar opinionin publik.

“Stafi mjekësor i KF Tirana njofton se lojtari Klevi Qefalija ka kaluar tashmë gjendjen e rëndë shëndetësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Klevi do të mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve të specializuar për t’u rikthyer sa më shpejt në gjendjen optimale.

Një fjalë falënderimi shkon për stafin mjekësor të klubit për ndërhyrjen e shpejtë, si edhe mjekëve të Spitalit të Traumës në spitalin ushtarak në Tiranë për kujdesin intensiv ndaj lojtarit.

Shërim të shpejtë Klevi, shtëpia jote e dytë pret të rikthehesh sa më shpejt mes nesh”, njoftojnë bardheblutë.

– PANORAMASPORT.AL

 

Rezultatet dhe tabela e javës së dytë, të grupit A & B në Viva Fresh liga e parë e Kosovës

Endrit Krasniqi e fiton çmimin “Ylli i Javës”