Kjo është skuadra e re e Mirel Josës?

Partizani, pas shkarkimit të Adolfo Sormanit dhe stafit italian, do t’i mbyllë tri javët e mbetura të sezonit me trajner provizor, Reinaldo Kalarin.

Kjo periudhë kohore do t’u shërbejë drejtuesve për të gjetur timonierin e duhur për të kthyer Partizanin konkurrues si një vit më parë.

Parimisht thuhet se trajneri i ri është dakordësuar dhe bëhet fjalë për teknikun aktual të Skënderbeut, Ilir Daja.

Por ky proces mbetet i hapur, për aq sa kohë klubi dhe vetë trajneri i dëshiruar nuk janë shprehur publikisht për akordin. Kjo gjë e mban të hapur ankandin për timonier te “demat”.

Përveç trajnerëve të lakuar më herët, ku bëjnë pjesë edhe disa ish-trajnerë të kuq, së fundmi në vitrinë ka dalë edhe emri i ish-trajnerit të Tiranës dhe Skënderbeut, Mirel Josa, që është i lirë pas largimit nga Prishtina.

Josa shikohet si një alternativë e fuqishme, nëse dështon akordi me trajnerin Daja.