Kjo është përgjigjja e Sokolit për Plisat dhe lojën

Trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve, për thirrjet e Plisave për largimin e tij.

Skuadra e tij humbi 2:0 nga Hajvalia, duke dëshpëruar edhe me lojë edhe me rezultat. “Thirrjet e simpatizuesve janë çështje e tyre, unë kam thënë edhe më herët se marrëveshje se kam bërë me zyrtarët e klubit e jo me simpatizues. Se a kam mbështetje nga bordi, duhet t’i pyesni ata, ndërsa unë vazhdoj të kryej punën time edhe pse kuptohet që s’jam i kënaqur me rezultat dhe kuptohet që unë e marr përgjegjësinë e asaj çfarë ka ndodhur . Por, fakti është se ekipi ynë luajti dobët dhe është e pafalshme të luhet kështu në një përballje derbi për të cilën e fituar me meritë nga Hajvalia”, tha Sokoli, transmeton GazetaOlle.com.

Sa i përket lojës ai tha: “Rrjedha e lojës ishte asisoj që ekipi ynë nuk i shfrytëzoi disa raste në pjesën e parë, erdhi penalltia të cilën nuk dua të komentoj, sepse ka kompetent që ka kush e komenton. Pas pësimit të golit ne tentuam të përmirësojmë gabimet, por sërish nuk i shfrytëzuam disa raste dhe me kundërsulme Hajvalia ishte më e shkathët në këto momente dhe humbja ishte e paevitueshme. Bëmë shumë gabime në mesfushë, nuk kontrolluam lojën dhe ishte kjo humbje në saje të shumë gabimeve që bëmë pas rezultatit 1:0.  Hajvalia me meritë ka fituar, por edhe ne e kemi humbur ndeshjen në saje të shumë gabimeve tona”. (Gazeta Olle)