Kjo është ëndrra e Amir Rrahmanit

Mbrojtësi i Partizanit, Amir Rrah mani, në daljen e djeshme para mediave, pohoi se pas fitores së fundit me Armeninë, Shqipërinë e shikon në Europianin “Francë 2016″, ku shpreson që edhe ai të jetë pjesë e atij ekipi. Rrahmani është kapitenin i ekipit Shpresa, të cilët, nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega, i nisën mbarë eliminatoret e 2017-ës ku mundën 2-0 Lihtenshtejnin.

Mbrojtësi i të kuqve më pas foli edhe për Partizanin dhe ndeshjen e radhës me Apoloninë. Sipas 21-vjeçarit, Partizani i ka të gjitha shanset për të fituar titullin kampion, kështu që 8 ndeshjet e mbetura konsiderohen finale që duhen kaluar me sukses. Rrahmani kërkoi që Apolonia duhet pasur kujdes, pasi është një ekip që luan lirshëm dhe të rrezikon në çdo moment. Goli që u shënoi fierakëve në fazën e tretë ka rezultuar fatsjellës për mbrojtësin, pasi më pas ka realizuar edhe dy gola të tjerë.

Amir, si e përjetove ndeshjen e Kombëtares Shpresa ku arritët të fitonit ndaj Lihtenshtejnit?

Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne, pasi ishte përballja e parë në grupin eliminator. Edhe pse nuk luanim me një ekip shumë të fortë, e patëm vlerësuar maksimalisht takimin dhe arritëm objektivin për të marrë trepikëshin. Tani jemi të qetë të mendojmë për ndeshjet që do të luajmë në shtator, ku kemi dy ndeshje mjaft të rëndësishme.

Po në lidhje me Kombëtaren A që fitoi ndaj Armenisë, çfarë mendimi ke?

Sapo mbërritëm në Shqipëri, direkt nga aeroporti kam shkuar në stadium për ta ndjekur takimin. Ka qenë vërtet një emocion shumë më i madh sesa të luash në fushë. Shpresoj që në të ardhmen edhe unë të jem pjesë e atij ekipi në fushën e blertë dhe të provoj emocionet si lojtar kuqezi.

Do jetë Amiri dhe Shqipëria në Europianin “Francë 2016″?

Besoj se po. Në një mënyrë ose në një tjetër duke u renditur në vendin e dytë ose në vendin e tretë. Shpresoj që edhe unë me paraqitjet e mia të mira besoj se do të fitoj besimin e trajnerit dhe të marr një ftesë. Personalisht, e shikoj Shqipërinë në kampionatin europian.

Të flasim pak për kampionatin. Këtë javë luani ndaj Apolonisë, ekipi ndaj të cilit keni shënuar edhe golin e parë. Si po e pret këtë takim?

Për mua, Apolonia është një ekip shumë simpatik, sepse luan hapur dhe krijon raste. Personalisht, kjo skuadër më ka sjellë fat, pasi i kam shënuar golin e parë dhe pastaj kam arritur të shënoj edhe dy gola të tjerë në kampionat. Normalisht që në këtë takim do të futemi në fushën e lojës me objektivin e vetëm për të marrë fitoren, pasi na kanë mbetur edhe 8 finale dhe në të gjitha ndeshjet do të kërkojmë fitoren.

E sheh Apoloninë jashtë garës për mbijetesë, gjë e cila mund t’jua lehtësojë disi punën?

Ata kanë qenë që nga fillimi i kampionatit në këto pozita dhe gjithmonë kanë luajtur lirshëm. Edhe ndaj nesh jam i bindur se do të luajnë lirshëm dhe pa presion. Gjithsesi, dua ta theksoj se për ne kjo sfidë është shumë e rëndësishme për objektivat që kemi.

Amir, sa shanse ka Partizani për të dalë kampion?

Partizani ka shumë shanse, por varet edhe nga kundërshtarët me të cilët ne do të luajmë pas dy javësh. Megjithatë, çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe ne duhet t’i marrim me radhë, pasi çdo ekip vlen tri pikë, që janë mjaft të vlefshme për llogaritë që bëhen në fund.

Cila mund të jetë skuadra e re e Rrahmanit në përfundim të sezonit?

Aty ku të jetë e shkruar. Për momentin, nuk ka asgjë konkrete, asnjë ofertë në drejtimin tim, pasi është ende herët. Ka kohë deri në hapjen e merkatos verore.

Ekzistojnë mundësitë që të vazhdosh sërish me Partizanin?

Nuk e di, pasi në fund të sezonit më mbaron edhe kontrata.

Do të zgjidhje një ekip të rajonit, apo hapin e madh kërkon ta bësh menjëherë në futbollin e Europës Perëndimore?

Normalisht që do të preferoja një nga kampionati europian, pasi ka futboll interesant dhe më të fortë.