Kjo është arsyeja që u ndërpre transmetimi i ndeshjes Gjilani – Dukagjini, drejtori i Art Motion tregon se kur mund ta ndiqni ndeshjen e plotë në reprizë

Gjilani – Dukagjini ka qenë padyshim sfida e shumëpritur e 1/8 së finales në Kupën e Kosovës.

Dy skuadrat elitare u përballen në fushën me bari sintetik në Gjilan, ku vendasit fituan me rezultat 2-1.

Ka qenë një ndeshje shumë e tensionuar në minutat e fundit dhe për më tepër në ato momente ishte ndërprerë transmetimi i drejtpërdrejtë nga Art Motion që ka të drejtat ekskluzive për transmetimin e ndeshjeve të BKT Superligës dhe Kupës së Kosovës.

Shumë tifozë u çuditën që transmetimi i ndërpre në minutat vendimtar ku ndodhën edhe shumë gjëra, duke u përjashtuar sulmuesi i Dukagjinit, Stefan Nikolic e pastaj edhe u shënua goli i fitores nga vendasit në minutën e fundit.

Gjithsesi Gazeta Olle ka kontaktuar drejtorin e futbollit në Art Motion, Arlind Sadiku i cili ka sqaruar se pse erdhi deri tek ndërprerja e transmetimit.

“Ndeshja është zhvilluar në një stadium ku Art Motion nuk transmeton ndeshje. Vetëm njëherë me parë kemi transmetuar nga aty. Ai stadium nuk ofron kushtet për të transmetuar ndeshje futbolli, por Art Motion për shkak të interesimit të madh ka bërë të pamundurën që të transmetojë për abonuesit e vetë këtë takim”.

“Kemi pasur probleme teknike dhe për disa minuta ndeshja nuk ka qenë në transmetim”, tha Sadiku për Gazetën Olle.

Arlind Sadiku, drejtor i futbollit në platformën Art Motion

Tutje Sadiku ka thënë se për t’i hequr të gjitha dyshimet ndeshja do të jetë në reprizë sonte nga ora 23:00 në Art Sport 1 dhe disa herë gjatë ditëve në vijim.

“Për të hequr të gjithë dyshimet, ndeshja është xhiruar komplet dhe do të reprizohet sonte nga ora 23:00 në Art Sport 1 dhe disa herë tjera gjatë ditëve në vijim”, deklaroi Sadiku.

/Gazeta Olle/

Ky është momenti kur Dardan Çaka e ndëshkoi me karton të kuq Stefan Nikolicin e Dukagjinit

Shpërthen kryetari i Dukagjinit, Fabi Veseli: Kur të flet Dukagjini, nuk mundeni me përballu tërmetin