KFF Malisheva i gëzohet titullit të dytë radhazi në Ligën U16

KFF Malisheva iu ka gëzuar sot titullit të kampionit në Ligën U16 në konkurrencën e femrave.

Deri te titulli i dytë radhazi vajzat e reja malishevase erdhën pas fitores bindëse në ndeshjen e xhiros së fundit të kampionatit kundër Bazelit 2015, me rezultat 8:2.

Gara për titull ishte e fortë deri në fund të edicionit ndërmjet Malishevës dhe Kosovës VR.

Kjo e fundit ishte e para në renditje me 64 pikë dhe në xhiron e fundit pushoi, por Malisheva me fitoren e sotme e barazoi kuotën e pikëve me skuadrën kryeqytetase, prandaj titullin e vendosi bilanci në takimet e ndërsjella ku skuadra malishevase ishte më e mirë.

Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve dhe trofeut të kampionit ishte e pranishme kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave dhe njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, e cila me këtë rast i përgëzoi vajzat e reja malishevase për suksesin e arritur, duke i inkurajuar që të vazhdojnë të punojnë me seriozitet edhe në të ardhmen, në mënyrë që një ditë të jenë të gatshme edhe për sfida më të mëdha.