Këto janë klanet brenda Real Madridit

Reali i Madridit është shpërfy tyruar gjatë vitit 2015. Humbën kreun e renditjes në kampionat, ndërkohë që ishin eliminuar edhe nga Kupa e Mbretit. Në Champions rrezikuan ndjeshëm eliminimin ndaj Shalkes, duke zyrtarizuar edhe krizën.

Por, shndërrimi nga një ekip që dominonte pa probleme në fushë, te një skuadër që thyhet lehtësisht, arsyeja është madhore. Brenda grupit të futbollistëve ka një përçarje, e cila po reflektohet edhe gjatë ndeshjeve.

KLANET – Kur Jose Mourinho ishte trajner i madrilenëve, brenda ekipit pati përplasje të ashpra. Ancelotti arriti t’i zbusë dhe kjo shërbeu për të triumfuar në Champions League vitin e kaluar. Tashmë, “sëmundja” e klaneve është rikthyer, por jo me të njëjtët protagonistë. Futbollistë si Arbeloa, Khedira, Bale, por dyshohet gjithashtu edhe Casillas, nuk janë dakord me sjelljen e Carlo Ancelottit.

Italiani i ka dhënë mundësinë Ronaldos që të ketë shumë pushtet dhe të bëjë të gjitha ato që dëshiron. Portugezi, pavarësisht rivalitetit, vazhdon të jetë lideri i padiskutueshëm dhe kjo gjë nuk i ka pëlqyer kapitenit. Gjithashtu, edhe uellsiani ka disa javë që nuk po e shpërblen besimin e trajnerit, duke treguar një rendiment të dobët dhe duke qenë egoist në fushë. Për më tepër, nuk e ndihmon repartin e mbrojtjes, siç bënte më parë.

Edhe revolta e tij lidhet pikërisht me “përkëdheljen” e tepruar që bëhet ndaj Kristianos, duke e lënë Gareth në hije. Sa i përket Arbeloas dhe Khediras, pakënaqësia lidhet me faktin se do largohen në fund të edicionit. Ka qenë vetë kreu i pankinës që ka refuzuar që t’u rinovohet kontrata me kushtet që ata kërkonin, pasi nuk i shikonte si futbollistë të pazëvendësueshëm.

Duke qenë në muajt e fundit, lojtarët kanë përfituar edhe që të neglizhojnë në fushë. Nga ana tjetër, është grupi i Ronaldos që mbështet teknikun dhe në të përfshihen Benzema, Modriç, Marselo apo Pepe. Gjithsesi, duke qenë një pjesë e formacionit që jep maksimumin dhe pjesa tjetër që nuk angazhohet sa duhet, ka prishur ndjeshëm ekuilibrat e lojës.

Trajneri – Tashmë, e ardhmja e tij është më shumë se kurrë në rrezik. Ndonëse Florentino Perez nuk e kishte menduar se do kërkonte kaq shpejt një trajner të ri, duket se do dorëzohet para “revoltës” së disa prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës, në mënyrë që të mos rrezikojë dështimin këtë edicion. Por, në rast se italiani largohet, atëherë do ketë sërish pakënaqësi, të cilat do lidhen me yllin portugez, Cristiano Ronaldon.