Kështu e komenton ‘luftën’ Feronikeli – Hajvalia, trajneri i mirënjohur Hysni Maxhuni

Dy “kiksat” e fundit e kanë lënë Hajvalinë paksa prapa, në luftën për titull të kampionit. Feronikeli i ka shfrytëzuar mjaft mirë këto gabime të rivalit kryesor për titull, duke u shkëputur në pesë pikë.

Mirëpo, njohësit e futbollit mendojnë se nuk ka marrë fund ende asgjë, sa i përket titullit. Trajneri Hysni Maxhuni thotë se ka ende kohë dhe se gjërat mund të ndryshojnë brenda ditës, sa hap e mbyll sytë.

“Pres të ketë ende ndeshje interesante. Një gabim në shtëpi, po iu kushton skuadrave, madje edhe me humbje të vendit të parë. Përkundër diferencës së shkaktuar në tabelë, mendoj se ende nuk ka përfunduar asgjë, pasi ka shumë xhiro për t’u zhvilluar”, u shpreh Maxhuni për “Zërin”.

“Feronikeli ka ekip kualitativ dhe po tregohet stabil, sidomos në shtëpi. Megjithatë, futbollit nuk i dihet. Gabimet mund t’i lënë klubet me pasoja, në këtë pjesë të fundit dhe vendimtare”, shtoi trajneri mitrovicas.

Ai i sheh vetëm Feronikelin e Hajvalinë, në luftë për titull. Sa i përket Llapit, mendon se nuk ka ngritje dhe vazhdimësi të rezultateve, siç i nevojiten një skuadre që lufton për titull.

Maxhuni ka folur edhe për pjesën e poshtme të tabelës, duke insistuar se Istogu, përkundër tentimeve të fundit, ka më pak gjasa për mbijetesë. Ndërsa, më interesante e sheh luftën për t’iu shmangur barazhit.

“Aty do të jenë 6-7 skuadra dhe do të jetë mjaft interesant. Prishtina gjendet në një zonë kritike dhe i ka konkurrente të forta 2-3 skuadra, për t’i ikur barazhit. Po them, do të jetë mjaft interesant dhe nuk do të dihet deri në fund as në këtë aspekt”, përfundoi ish-trajneri i Hysit dhe Vëllaznimit. Deri tash janë zhvilluar 25 xhiro dhe deri në fund kanë mbetur edhe 8 të tjera.