Kërkojnë largimin e Hasit

Trajneri kosovar Besnik Hasi është prekur me thirrjet që janë bërë në adresë të tij nga shikuesit, të cilët kërkuan largimin nga ekipi belg, Anderlecht.

Shikuesit të dielën mbrëma gjatë ndeshjes që Anderlechti barazoi në shtëpi 1:1 ndaj Oostendes kanë bërë thirrje që të largohet Hasi, përcjell sot Koha Ditore.

“Hasi ik” ishin disa nga thirrjet e shikuesve të dielën. Vetë Hasi të hënën në një konferencë për media ka pranuar se është prekur nga ato që ka dëgjuar.

“Do të gënjeja nëse do të thosha që nuk jam prekur. Por unë i kuptoj. Publiku gjithmonë ka të drejtë”, ka thënë Hasi.

Trajneri kosovar me Anderlechtin e fitoi titullin e kampionit në edicionin 20132014 si dhe Superkupën. Si lojtar, me fanellën e Anderlechtit, ka fituar tri herë titullin dhe një herë Superkupën. Këtë edicion pas 18 ndeshjeve të zhvilluara zë vendin e katërt me 34 pikë.