Kërkojnë finale kosovare

Dy skuadrat kosovare Sigal Prishtina dhe Peja, janë afër të shkruajnë historinë për t’u kualifikuar në finale të Ligës Ballkanike.

Peja në ndeshjen e parë gjysmëfinale ka arritur të mposht Rilskin si mysafir, me rezultat të ngushtë 63:62, duke bërë kështu një hap afër finales së Ligës Ballkanike.

Nga ana tjetër, Sigal Prishtina, ka arritur që në shtëpi të mposhtë skuadrën e Kozhuvit me rezultat të thellë 85:61, duke iu afruar kështu edhe më shumë finales së madhe.

Në një prononcim për GazetaOlle.com, dy basketbollistët Alban Veseli nga skuadra e Pejës, dhe Dardan Berisha Sigal Prishtina, kanë shprehur haptas dëshirën që finalja në Ligën Ballkanike të jetë ndërmjet dy ekipeve kosovare.

 

Gazetaolle: Me fitoret në ndeshjen e parë sa janë gjasat e kualifikimit për në finale të Ligës Ballkanike?

Veseli: Kemi bërë një hap të madh në ndeshjen e parë pasi kemi arritur fitore tejet të rëndësishëm. Do të luajmë ndeshjen e radhës në shtëpi para publikut tonë dhe shpresoj se do të arrijmë në finale.

Berisha: Në ndeshjen ndaj Kozhuvit kemi treguar një lojë shumë të mirë dhe me këtë fitore kemi bërë një hap para drejt finales por nuk duhet harruar që kemi edhe ndeshjen e dytë e cila do të zhvillohet dhe duhet të luajmë në të njëjtën mënyrë edhe në këtë ndeshje.

 

Gazetaolle: A besoni se mund të kemi finale kosovare në Ligën Ballkanike?

Veseli: Do të ishte e mrekullueshme të kemi një finale të tillë. Shpresoj që një gjë e tillë do të ndodh pasi në radhë të parë është në të mirë të basketbollit të Kosovës, dhe imazhit të vendit tonë.

Berisha: Besoj fuqishëm se mund të kemi një finale kosovare në Ligën Ballkanike, do të ishte e mrekullueshme një gjë e tillë e në veçanti për basketbollin e Kosovës.

 

Gazetaolle: Sa janë gjasat që të fitoni Ligën Ballkanike?

Veseli: Ne kemi një ekip shumë të mirë gjë që e kemi treguar deri tani. Në rast se finalja e Ligës Ballkanike, do të jetë kosovare, atëherë e rëndësishme është trofeu do të mbetet në Kosovë, por normalisht shpresoj t’i gëzohem unë këtij suksese dhe të arrijë ta fitojmë këtë trofe.

Berisha: Kemi gjasa shumë të mëdha të fitojmë Ligën Ballkanike, pasi realisht kemi një ekip shumë të mirë dhe me lojën të cilën e kemi zhvilluar kemi treguar që jemi një ekip shumë i fortë dhe mund ta fitojmë Ligën Ballkanike.