Kërcënon Craiova

Lojtari i skuadrës rumune Travis Bureau, ka folur për ndeshjen kthyese Sigal Prishtina – Craiova. Ai beson që skuadra e tij mund ta rikthej ndeshjen në favor të tyre.

“Pres ndeshje të vështirë dhe luftarake. Pres që të dy skuadrat të japin maksimumin në parket. Natyrisht se mund të përmbysim epërsinë e Prishtinës nga ndeshja e parë. Bëhet fjalë për vetëm katër pikë”, ka thënë Bureau të hënën për ‘Kohën Ditore’.

Ai është lojtari më i mirë i Craiovas në Ligën Ballkanike. Në 11 ndeshje ka kontribuar mesatarisht me 15,1 pikë e 6,6 kërcime. Në kampionatin rumun në 20 ndeshje ka luajtur me mesatare prej 10,7 pikëve e 6,4 kërcimeve. “Natyrisht do të jetë ndeshje e vështirë, luajmë në parketin e kundërshtarit. Përparësia e vetme që mund ta ketë Prishtina janë tifozët e saj, pasi si çdo skuadër në botë edhe ne, edhe Prishtina, motivohemi nga tifozët tanë. Por ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur mirë për këtë ndeshje”, ka thënë Bureau.