Katër skuadra të mëdha dërgojnë skautë për të parë nga afër Muriqin në ndeshje ndaj Besiktasit

Gazeta e përditshme turke Fanatik shkruan se Napoli, Lazio, Atletico Madrid dhe Tottenham Hotspur do t’i dërgojnë skautët e tyre në Stamboll për ta parë nga afër Vedat Muriqin, pasi që janë të interesuar për kosovarin.

Kosovari ka qenë në formë mbresëlënëse gjatë këtij sezoni për Fenerbahcen në Superligën turke dhe garat e tjera vendore, duke arritur t’i shënojë dhjetë gola në 14 ndeshje të zhvilluara, transmeton Gazeta Express.

Muriqi i ka gjithashtu tetë gola të shënuara në 23 paraqitje për ekipin kombëtar të Kosovës, përfshirë këtu atë kundër Anglisë në Southampton në shtator, që përfundoi me rezultat 5:3 për anglezët dhe kur kosovari kishte shënuar gol.

Gjatë këtij sezoni, The Sun shkruan se Tottenhami e ka mbikëqyrur disa herë 25-vjeçarin, përderisa thuhet se edhe Manchester Unitedi dhe Bournemouthi kanë shprehur interesim për sulmuesin trupgjatë.

Ndërsa, së fundi, e përditshmja turke Fanatik raporton se Napoli, Lazio, Atletico Madridi dhe Tottenhami do të dërgojnë skautë në Stamboll për ta monitoruar nga afër Vedat Muriqin në ndeshjen e ardhshme.

Për këtë arsye, Muriqi do të shpresojë të jetë të mirë në ndeshjen e së shtunës në kuadër të Superligës turke, ku Fenerbahce do të përballet me Besiktasin në orën 17:00.

Fenerbahce e transferoi Muriqin nga Rizpesor verën e këtij viti dhe ai ka kontratë me klubin turk deri në vitin 2023, por do të pranonte t’ia shesë atë Tottenhamin për 18 milionë funte.