Katër ndeshje, tri pozita

Mungoi në dy ndeshjet e para shkaku i kartonëve, por u rikthye ndaj Trepçës ’89. U aktivizua si mbrojtës i majtë. Më pas ndaj Istogut e Besës luajti në qendër të mbrojtjes, kurse në takimin e fundit ndaj Prishtinës, ishte si mbrojtës i djathtë. Është ky Erdin Hashani, mbrojtësi që prej më shumë se dy viteve është pjesë e Hajvalisë.

Ai e di më së miri gjendjen e këtij klubi në vitet e fundit. Ndaj 89-shit ishte edhe kapiten.

 

Sa je i kënaqur me fazën e dytë?

Jam i kënaqur me vitin 2014, por jo edhe me vitin 2015, për arsye se nuk e kemi filluar mirë vitin 2015 dhe që fati na ka munguar, por është mirë sepse kemi mësuar shumë nga këto ndeshje.

 

Tri fitore, tri humbje në 6 ndeshjet e fazës së dytë. A keni mundur më shumë?

E thashë edhe më herët, se na ka munguar fati, normal që kemi mundur edhe më shumë, por e them prapë, është mësim për ne dhe tani na kanë mbetur 11 finale, kështu që çdo gabim do të na kushtojë.

 

Katër loje, tri pozita, në cilën po ndihesh më mirë?

Po e vërtet që 4 ndeshje në tri pozita, qe 5 vitet e fundit luaj qendërmbrojtës dhe normal qe aty ndihem më mire dhe aty e jap më të mirën si qendërmbrojtës, po nganjëherë duhet me sakrifikuar për klubin, e unë në një mënyrë jam duke sakrifikuar.

 

A mund ta fitoni titullin, edhe pse jeni 9 pikë pas Feronikelit?

Prandaj futbolli është i bukur, sepse çdo gjë është e mundur në futboll, dhe duke besuar që jam unë qe dy vjet këtu, fazën e tretë, Hajvalia e ka më të mirën, gjithmonë, kemi luajtur mirë në fazën e tretë dhe besoj që këtë vit do të jetë ashtu.

 

Që nga viti 2012 tek Hajvalia, çfarë ka ndonjë ndryshim tani?

Që nga 2012-a jam me skuadrën e Hajvalisë, tek e cila ka çdo vit ndryshime, normal për të mirë, çdo vit e më shumë është duke u rritur si klub, nuk po shikohemi më si klub inferior, kjo falë donatorëve të klubit që po investojnë, e ata janë: Meda, Ragip Murati dhe Xhavit Pacolli, që janë shumë korrekt me ne.

 

Nesër (e premte) pritni Dritën, një ish-skuadër tuajën.

Duhet që fazën e tretë ta fillojmë me fitore, duke e ditur që kjo fitorja e fundit na ka jep vetëbesim, edhe pse për kundërshtar e kemi një skuadër të fortë siç është Drita, por nëse duam me qenë në garë për titull, nuk duhet të gabojmë.