Katër ndeshje pa pësuar gol, Kolshi zbulon sekretin e suksesit

Granit Kolshi është njëri nga më meritorët për pozitën e tanishme të Feronikelit. Skuadra nga Drenasi po kryeson renditjen e Superligës, ndërsa portieri i tyre është njëri nga “fajtorët” për këtë pozitë.

Ai këtë vit ende nuk ka shijuar ndjenjën e pësimit të golit. Në katër ndeshjet e para (përfshirë edhe Kupën), Feronikeli nuk ka pranuar gol, duke e shndërruar Kolshin në njërin nga portierët më të mirë për momentin në Kosovë.

Por, kush qëndron pas suksesit të këtij “gardiani”. “Për tetë vite kam punuar me Xhelal Karabegun, të cilin dua ta falënderoj për punën që ka bërë me mua. Kemi bërë punë të palodhshme dhe puna e tij është duke dhënë fryt”, thotë Kolshi për Gazetën Olle.

Në këtë rast, ai thekson se ka pasur vetëm një mësues, nga i cili ka mësuar shumëçka. “Nuk kam punuar me asnjë trajner tjetër përveç Karabegut. Po të mos kesh disiplinë dhe angazhim, nuk mund të përballosh ushtrimet e tij. Kemi stërvitur çdo ditë dhe kurrë nuk kemi bërë stërvitje të njëjtë”, shtoi ai.

kolshii

“Tani kam trajnerin Avni Hasani, po bëjmë një punë të mirë dhe të palodhshme. Është i ri dhe e dëshiron punën shumë, ka dëshira për të punuar dhe për të mbajtur formën time”, thekson Kolshi, duke dërguar falënderime edhe tek trajneri i tanishëm.

Ai rekordin e pamposhtshmërisë e ka 9 gola pa pësuar gol, bilanc ky të cilin e ka arritur derisa Feronikeli ishte në Ligën e Parë. “Tani kam katër ndeshje pa pësuar gol, shpresoj të vazhdojë të mbetem edhe më tutje i pamposhtur”.

Ndeshjen e radhës Feronikeli e luan në shtëpi me Ferizajn. (Gazeta Olle)