Mbyllet pa fitues sfida e shumëpritur Argjentinë-Brazil, me dy skuadrat që zhvilluan një 90-minutësh mjaft të luftuar, por mungoi ai më i rëndësishmi në një ndeshje futbolli, goli.
Një barazim që gjithsesi i vlejti shumë skuadrës së Lionel Scalonit që përveç se e zgjati në plot 27 rekordin e ndeshjeve pa humbje(disfata e fundit daton në gjysmëfinalen e Copa America në 2019-ën ndaj Brazilit) u bë gjithashtu përfaqësuesja e dytë pas Seleçaos nga Amerika e Jugut që siguroi zyrtarisht biletën për në Katar 2022 dhe njëkohësisht kombëtarja e 12-të që kualifikohet në Botërorin aziatik.
Në “Estadio di Bicentenario” të San Juanit, Argjentina pati zotërim më të mirë të topit, por këtë dominim nuk e përktheu edhe në raste, aty ku gjithçka ishte e balancuar si edhe rezultati i ndeshjes.
Luajti gjatë gjithë ndeshjes si titullar edhe Lionel Messi, i cili nuk ia doli të lërë gjurmë.