Karateisti Valdrin Rashiti që ka hapur qendrën e parë CrossFit në Gjilan, ka trajnuar edhe futbollistë të klubeve të mëdha evropiane

Sportistët nga Kosova shume herë na kanë bërë krenarë me sukseset e tyre vendore dhe ndërkombëtare. 

Njëri nga sportistët që për vite me radhë përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare është edhe karateisti, Valdrin Rashiti.

Djaloshi nga Gjilani nuk është ndalur vetëm me sportin e karatesë, por ka vazhduar karrierën edhe si trajner kondicional, e gjithashtu ka hapur qendrën e parë të Crossfit, me emrin “VR Crossfit”, në qytetin e Gjilanit.

Në një intervistë për Gazetën Olle, Valdrin Rashiti ka rrëfyer karrierën e tij fantastike, duke filluar si karateist, e deri tek hapja qendrës së Crossfit.

“Fillimisht si i ri ne moshën 10 vjeçare kam filluar me sportin e karatesë. Sukseset ne karate i kam filluar si përfaqësues i Kosovës, qe tashme jam pjesë e saj mbi 12 vite, me shumë suksese, si vendore ashtu dhe ndërkombëtare” tha fillimisht Rashiti.

Pas sukseseve me Kosovën, Rashiti vazhdoi karrierën si trajner kondicional, ku ndër të tjera ka stërvitur edhe futbollistë të klubeve të njohura evropiane.

“Karrierën time e kam zhvilluar edhe si trajner kondicional, që nga viti 2020, e që deri më tani kam trajnuar shumë sportistë të njohur të klubeve të mëdha vendore, ashtu dhe ndërkombëtare. Vlen të theksohet se kam trajnuar edhe futbollistë të skuadrave evropiane si Bayern Munich, Mainz, Gruningen etj”

Rashiti e cilëson si sukses të madh edhe trajnimin e rekrutëve në Ushtrinë dhe Kosovës, të cilët i ka përgatitur dhe kanë arritur nota maksimale në testet përkatëse.

“Ndër sukseset e mia e llogaris edhe trajnimin e rekrutëve për Ushtrinë e Kosoves dhe Akademine Ushtarake, si dhe ne Policinë e Kosovës, prej të cilëve te gjithë kane arritur sukses maksimal. Nga viti 2021, kam hapur dhe qendrën time te Crossfitit me lokacion ne Gjilan, ku deri me tani kam trajnuar mbi 500 klientë” shtoi Rashiti për Olle.

Për të gjithë ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth sportit të Crossfit, trajneri nga Gjilani tregon arsyen pse duhet vazhduar ky sport të aplikohet nga të gjitha moshat.

“Crossfit është përzierje e sporteve, ku trajnimet bëhen me intensitet më të lartë, ku përfitimet janë humbja apo dhe shtimi i peshes, rritja e forcës, ngritja e performancës fizike, kondicioni e shumë të mira të tjera qe i ofron sporti i Crosfitit. Për ne fund, rekomandoj te gjitha moshave qe te merren me sportin e crosfitit, sepse benifitet janë si ato trupore, psikologjike, sociale” përfundoi Rashiti.

Me punën e tij të palodhshme dhe të sukseshme, Rashiti është ndër sportistët e dalluar në qytetin e Gjilanit, duke mos u ndalur asnjëherë në ndjekjen e pasionit të tij.

/Gazeta Olle/

Edlir Tetova bëhet me skuadër të re

Kosova U21 ka marr një fitore bindëse si mysafir i Andorrës U21 me rezultat 3-0