Karadzic flet për ndeshjen e ardhshme Shqipëri – Serbi

Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karadzic, nuk dorëzohet në garën për të siguruar vendin e tretë të renditjes, pavarësisht diferencës prej gashtë pikësh me Shqipërinë.

Ai ka besim se do arrijnë të fitojnë katër ndeshjet e mbetura, edhe pse është i zhgënjyer për humbjen ndaj Portugalisë.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme. Mund të kishim marrë një rezultat pozitiv, i cili do na ndihmonte shumë, si në renditje, ashtu edhe në aspektin psikologjik. Gjithsesi, mendoj se periudha e keqe mori fund dhe ne do tregojmë diçka krejt tjetër në gjysmën e dytë të kualifikueseve.

“Unë kam besim se do t’i fitojmë të katërta ndeshjet e mbetura. Dueli i radhës është më 13 qershor dhe deri atëherë do ta kemi kaluar ngërçin psikologjik”, ka deklaruar Karadzic për mediat serbe.

Ndërkohë, në rrugën për t’u kualifikuar në Europian, presidenti i federatës serbe ka etiketuar duelin me Shqipërinë si më të rëndësishmin: “Asnjë prej ndeshjeve të mbetura nuk është më vendimtare se ajo ndaj Shqipërisë. Aty luajmë edhe shanset tona. Do kërkojmë të fitojmë patjetër dhe duhet t’ia dalim mbanë”, tha ai.

Karadzic mendon se Portugalia do jetë një “aleat” në realizimin e objektivit të tyre. Ai shpreson që luzitanët të fitojnë të gjitha ndeshjet, përveç asaj të fundit ndaj serbëve.

“Portugalia është ekipi më i fortë i grupit dhe ndaj kryesojnë renditjen. Gjithsesi, ata mund të jenë një ndihmë për ne. Do kërkojmë të fitojnë ndaj Danimarkës dhe Shqipërisë për të siguruar vendin e parë’.

“Në ndeshjen e fundit të kualifikueseve, me shumë mundësi ata do vijnë në Serbi si të kualifikuar, ndaj kanë për të qenë më të lehtë për t’u mundur. Nuk kanë për të qenë maksimalisht të motivuar”, përfundoi ai.