Kapiteni Krasniqi zbulon risitë te Prishtina

“Nëse sot do të fillonte kampionati, do ta nisnim me fitore”. Kështu ka thënë në një intervistë për ‘Gazetën Olle’, kapiteni i Prishtinës, Driton Krasniqi.

Mesfushori prishtinas vlerëson se skuadra nga kryeqendra, është përgatitur maksimalisht për sfida të reja. “Besoj se jemi përgatitur maksimalisht për stinorin pranveror. Kemi punuar mjaft shumë dhe konsideroj se jemi gati. Jemi përballur edhe me disa lëndime, mirëpo nuk kanë qenë serioze”, deklaroi Driton Krasniqi.

Tutje, ‘Driti’ pohoi se ky kampionat do të jetë tejet interesant. “Besoj se ky kampionat do të jetë më interesanti i viteve të fundit pasi pesë skuadra e kërkojnë titullin. Unë personalisht uroj që vetëm kampionati të shkoj ashtu siç i ka hije, pa probleme dhe në fund, t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit sepse vetëm kështu mund të fitojë futbolli, dhe vetëm kështu tregojmë se e meritojmë që të inkuadrohemi në FIFA e UEFA”, potencoi Driton Krasniqi.

Prishtina e trajnerit Bylbyl Sokoli ndodhet e pesta më 25 pikë, tri më pak se lideri Feronikeli (28).