Kapiteni i Malishevës flet për rezultatet pozitive në Superligë dhe ka një mesazh për ekipet rivale

Kapiteni i Malishevës, Dren Kyreziu, ka thënë se rezultatet e kësaj skuadre në pesë xhirot e para të Superligës nuk janë befasuese.

Skuadra e Malishevës ka startuar mirë në edicionin e parë në Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra që drejtohet nga strategu Arsim Thaqi në pesë xhirot e para ka grumbulluar 10 pikë, një pikë më pak se dy skuadrat e para në tabelë, Drita dhe Ballkani.

Një prej meritorëve për këto rezultate është kapiteni Dren Kryeziu, i cili ka shkëlqyer në pesë xhirot e para, duke qenë lider i vërtetë i skuadrës nga Malisheva.

Të premten për “Epokën e re”, Kryeziu ka thënë se këto rezultate janë të pritshme dhe se kjo skuadër ka potencial për të vazhduar me këtë formë edhe në ndeshjet e ardhshme.

“Normalisht se me përforcimet dhe punën që kemi bërë në përgatitje i kemi pritur këto rezultate, po ashtu kryesia e klubit na ka mbështetur dhe ne kemi dhënë maksimumin. Normalisht që kemi forcë të përballojmë çdo ndeshje dhe do të vazhdojmë kështu si kemi nisur edhe në vijim të kampionatit. Morali është i madh te lojtarët. Presim rezultate pozitive”, ka thënë Kryeziu.

Duke folur për synimet e kësaj skuadre në edicionin e parë në Superligë, kapiteni Kryeziu ka thënë se mesi i tabelës është synimi primar, por edhe synimet nuk mungojnë edhe në garën e Kupës.

“Synimet tona janë mesi i tabelës. Të shohim në vijim si do të rrjedhin gjërat. Normalisht se edhe në Kupë do të përpiqemi të shkojmë sa më lart që është e mundur”, ka shtuar ai.

Ndeshjen e radhës, në kuadër të javës së gjashtë, Malisheva e zhvillon si vendase ndaj Ballkanit. Futbollisti Dren Kryeziu ka thënë se ka një përparësi ndaj skuadrës suahrekase për faktin se është vendase dhe ka përkrahjen e tifozëve “Tornado”.

“Ndeshja e radhës është me një kundërshtar të fortë, por ne e kemi përgatitur mjaft mirë ndeshjen dhe kemi përparësi sepse luajmë vendas dhe kemi tifozët ‘Tornado’ të pranishëm, të cilët na japin motiv shtesë. Gjithashtu, lajm i mirë është se jemi të kompletuar për këtë ndeshje”, ka deklaruar Kryeziu.

Malisheva ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe një humbje këtë edicion.

Mësohet ora kur do të fillojnë meçet e shumëpritura të boksit Marku – Prodan dhe Joshua – Usyk

Llapi mbetet pa fitore në edicionin e ri, në paqe ndahen edhe Ulpiana me Dukagjinin