Kapiteni i Drenicës flet për duelin ndaj Ballkanit: Kanë ekip cilësor, por jemi përgatitur mirë

Drenica po lufton ashpër për barazh me Malishevën dhe Dukagjinin, prova e radhës e saj është kundër kampionit, Ballkanit. Në një prononcim për Gazeta Metro kapiteni i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku ka thënë se do të jetë një ndeshje e fortë, por janë përgatitur mirë për këtë sfidë, transmeton Gazeta Metro.

Mbrojtësi i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku për Metron deklaroi se edhe për kundër faktit që do të jetë një ndeshje e fortë, drenicasit këtë sezon kanë treguar paraqitje të mira ndaj ekipeve që renditen lartë në tabel.

”Po sigurisht që do të jetë një ndeshje e fortë por që ne kemi treguar futboll të mirë, pikërisht ndaj ekipeve të forta edhe kemi një motiv që janë pikët, shumë të rëndësishme ndërsa Ballkani tashmë vetëm është bërë kampion, kanë një ekip shumë cilësor por ne jemi të përgatitur për këtë duel,” tha ai.

Ndër të tjera një ndër lojtarët më besnik të Drenicës u pyet edhe se a mendon që do të shpëtojnë nga barazhi, ku tha: ”Po mendoj që do t’i ikim pasi që kemi një ekip shumë të mirë.”

Drenica në fazën e parë të sezonit kishte pasur rezultate të mrekullueshme dhe ishte pritur të paktën mos të ishte në këtë pozitë që është për momentin. Lushtaku për këtë tha që kishin probleme gjatë vjeshtës dhe aty e kanë humbur edhe hapin.

”Po ka lojtarë shumë të mirë mendoj që në vjeshtë kishim probleme të mëdha dhe aty humbëm hapin ne si ekip, ndërsa në këtë sezon jemi më mirë financiarisht të shohim pas përfundimit si do të organizohet ekipa,” përfundoi ai.

Superliga e Kosovës po vjen drejt fundit derisa janë përcaktuar kampioni, ekipet që do të dalin në Europë dhe ato që kanë rënë nga liga, vetëm diçka nuk është përcaktuar, barazhi. Tre skuadra po luftojnë për t’i ikur Drenica, Malisheva dhe Dukagjini, ku dy të parat kanë pikët e njëjta (44) ndërsa klinasit kanë dy pikë më shumë dhe gjenden në vendin e gjashtë.

Përfundon me sukses faza e parë e kursit të trajnerëve për Licencën B – UEFA

Në fundjavë do të zhvillohen ndeshjen e treta gjysmëfinale të “Play-off”-it