Kanë bërë transferime bombastike, drejtori i Dritës: Ka qenë e lehtë ta ndërtojë këtë ekip, pasi kam mbrapa vetës pronarë të suksesshëm

Drita është njëra nga skuadra më aktive në afatin kalimtar të verës në futbollin kosovar.

Gjilanasit përveç që bën paraqitje të jashtëzakonshme në garat evropiane, kanë shkëlqyer edhe në tregun e transferimeve.

Emra si Muharrem Jashari, Arbnor Muja, Marko Simonovski, Rron Broja apo Agim Zeka janë prezantuar tanimë te gjiganti kosovar.

E për përforcimet e Dritës ka folur edhe drejtori sportiv i kësaj skuadre për Gazetën Olle, Valon Zymberi.

Përgjegjësi kryesor i gjilanasve për transferime ka thënë se kanë bërë një punë të jashtëzakonshme të gjithë në klub për ta përforcuar ekipin.

“Mendoj që ka qenë një punë e jashtëzakonshme nga e gjithë kryesia për këtë afat kalimtar, duke ditur që ndryshimet është dashur të bëhen në kohë të shkurt pasi kishim edhe angazhime në garat evropiane”, u shpreh fillimisht Zymberi për Gazetën Olle.

Tutje drejtori sportiv i bardhekaltërve ka thënë se puna e tij është bërë edhe më e lehtë pasi mbrapa vetës ka pronarët e klubit si Flamur Bunjaku, Behar Shahini e Valon Murseli të cilët i plotësojnë çdo kërkesë.

“Tashmë klubi jonë FC Drita është në nivelet më të larta organizative, gjë që e ka bërë më të lehtë edhe punën time rreth merkatos. Gjithashtu kur i ke mbrapa pronarë si Flamuri, Valoni e Behari që ta plotësojnë çdo kërkesë, atëherë lirisht mundem me thënë që ka qenë shumë e lehtë”, vazhdoi tutje Zymberi.

Balon Zymberi, Behar Shahini, Rron Broja, Flamur Bunjaku dhe Valon Murseli

Drejtori sportiv i Dritës ka thënë se boshti i skuadrës ka qenë dhe kanë sjell në skuadër lojtarë për të shtuar konkurrencën.

“Mendoj që boshti i ekipit ka qenë dhe kemi sjell konkurrencë të shëndosh dhe freski që i është dashur ekipit”.

“Kemi sjell lojtarë të profileve që i kanë munguar ekipit dhe mendoj që këtë vit do të shohim një Dritë më energjike nga vitet e kaluara”.

“Mendoj dhe besoj që kemi bërë punë të mirë në këtë afat kalimtar, ku edhe shtabi teknik me punën e tyre, në mënyrë të përkryer i ka inkorporua lojtarët e ri në ekip. Kjo është dëshmuar edhe në ndeshjet evropiane në ato pak ditë sa kanë punuar me këta lojtarë të rinj”, u shpreh Zymberi.

Tifozët e Dritës nëpër rrjetet sociale njëzëri po shkruajnë se merkato e verës së vitit 2021 është më e mira në histori të klubit.

Deri më tani Drita ka angazhuar futbollistë si Përparim Islami, Prince Balde, Arbnor Muja, Muharrem Jashari, Marko Simonovski, Almir Kryeziu, Agim Zeka dhe Rron Broja. /Gazeta Olle/

Zyrtare: Arbëria përforcon edhe më shumë mbrojtjen

Skuadra italiane në hall të madh, duhet t’i largojë 23 futbollistë!