Kampioni botëror ia jep votën FFK-së (FOTO)

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është takuar sot me kreun e futbollit gjerman, Wolfgang Niersbach.

Vokrri ka falënderuar kreun gjerman të futbollit për ndihmën që ka dhënë ai për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar.

E, Niersbach i ka premtuar Vokrrit se do të jetë një zë i fuqishëm në të drejtën e kërkesës për pranim të FFK-së në UEFA.

vokriii

Ja njoftimi i FFK:

 

“Sot më 18 mars kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri i shoqëruar nga vëllezërit Zija e Nexhat Shoshi, në selinë e Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), janë pritur nga Presidenti i z. Wolfgang Niersbach. Në këtë takim mjaft të përzemërt dhe frytdhënës, kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri e njoftoi mikpritësin, për zhvillimin e futbollit të Kosovës, në veçanti për angazhimet për ndërkombëtarizim sidomos në dritën e zhvillimeve të fundit në raport me UEFA-n.

 

Kryetari Vokrri i njoftoi presidentin Niersbach për takimet që ka pasur me kreun e FIFA dhe me zyrtarë të lartë të UEFA-s. Po ashtu kryetari Vokrri falënderoi mikpritësin për përkrahjen që ka dhënë DFB-ja dhe ai personalisht për FFK-në për këto vite mjaft të rëndësishme për futbollin e Kosovës.

 

FFK-ja dhe DFB-ja do të vazhdojnë edhe më shumë thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. Ndërsa, presidenti Niersbach ka falënderuar kryetarin Vokrri për këtë vizite dhe e ka njohur me agjendën e mbledhjes radhës të KE të UEFA-s, e ku z. Niersbach do të jetë një zë i fuqishëm gjatë evaluimit të kërkesës së FFK-së.

 

Presidenti Niersbach i premtoi kryetarit Vokrri që DFB-ja dhe ai personalisht do të mbështesin fuqishëm FFK-në në të gjitha segmentet dhe në të gjitha fazat, që FFK-ja të arrijë synimet e saj”.

vokrrri