Kampionati drejt fundit, ja “diktatura” e Sejdiut

“5 ndeshjet e fundit janë si pesë finale për ne”, kështu ka thënë trajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu, i cili është shumë i përqendruar që ta shpallë kampion skuadrën nga Drenasi.

E për të arritur atë që synon, ai që nga fillimi i fazës së tretë (Java 23), ka marr vendim që futbollistët t’i respektojnë disa rregulla të klubit, në të kundërtën mund të dënohen.

Sejdiu ka deklaruar për Gazetën Tribuna se një person është i angazhuar që t’i përcjellë të gjithë futbollistët se si po veprojnë e sidomos një natë para ndeshjes. “Është faza e fundit kur ne nuk duhet të bëjmë gabime dhe duhet të jemi të përqendruar. Për këtë që nga fillimi i fazës së tretë e kemi angazhuar një person i cili i përcjellë futbollistët se si po veprojnë. Lojtarët e kanë të ndaluar që të jenë jashtë shtëpive të tyre pas orës 23:00 dhe po ashtu nuk duhet të jenë në Facebook dhe rrjetet tjera sociale pas orës 00:00. Kjo bëhet për të qenë sa më të përgatitur futbollistët para çdo ndeshjeje”, ka thënë Sejdiu.

E futbollisti pejan i Feronikelit, Egzon Gashi, ka deklaruar se rregullat e klubit duhet të respektohen dhe sipas tij, është normale që të jenë më të pushuar para ndeshjes.

“Po është normale që së paku dy ditë para ndeshjes t’i kushtojmë më shumë vëmendje pushimit në mënyrë që të jemi të freskët për ndeshjen. E sa i përket Facebookut, nuk është diçka e madhe, pasi e kemi në telefona dhe kur të jemi duke pushuar mund të hyjmë sepse nuk ndikon diçka keq”, ka thënë Gashi.

Pesë javë pa përfunduar kampionati, Feronikeli renditet në pozitën e parë me 57 pikë, tri më shumë se Prishtina që është e dyta.

Në ndeshjen e ardhshme (të shtunën), Feronikeli do të luaj kundër Kosovës së Vushtrrisë, në takimin që do të zhvillohet në Prizren, aty ku skuadra nga Drenasi i luan ndeshjet si vendas.