Kaçe vendos të qëndrojë te PAOK-u

Ergys Kaçe qetëson PAOK-un. Pas ditë pas publikimit të një interviste të mesfushorit shqiptar i cili shprehu dëshirën që në një të ardhme të bashkohet me Milanin, klubi nga Selaniku i ka kërkuar atij shpjegime, duke u shprehur se në këtë situatë dëshirojnë të jenë më të qartë për dëshirat e tij, shkruan “Supersport.al”.

Sipas faqes së specializuar “SportDog.GR”, Kaçe ka mohuar gjithçka duke theksuar se nuk ka shprehur për asnjë media dëshirën e transferimit në Itali edhe pse prej disa kohësh kanë filluar të qarkullojnë zëra për një interesim të mundshëm nga ana e Lazios e Udineses.

Kaçe u ka bërë me dije drejtuesve se objektivi i tij është që të nisë sa më shpejt punën për sezonin e ri dhe është i gatshëm të vendoset nën urdhrat e trajnerit për fazën përgatitore që PAOK-u do të nisë në fillim të muajit korrik.

Emri i 21-vjeçarit të lindur në Korçë nisi të lakohet në merkaton e verës pas paraqitjes pozitive të tij në miqësoren Shqipëri-Francë ku shënoi golin e fitores me një goditje dënimi.