Kaçe, bëhet sërish çështje në Greqi

Ergys Kaçe është vënë sërish në qendër të vëmendjes në Greqi. Këtë herë, ndryshe nga sa i ndodhi në vjeshtën e 2013-ës, mesfushori i Kombëtares shqiptare është mbrojtur gati me fanatizëm si nga mediat dhe nga tifozët e PAOK-ut, të cilat kanë dalë qartazi kundër trajnerit, Angjelos Anastasiadis.

Shkak është bërë vendimi i këtij të fundit për të lënë jashtë skuadre Ergys Kaçen për dy ndeshjet e radhës në kampionat, ndaj Ergotelis këtë javë dhe kundër Panathinaikosit. Sigurisht që, ndeshja më e vështirë dhe e rëndësishme është ndaj të gjelbërve të Athinës, aty ku për tifozët dhe mediat duhen të aktivizohen me PAOK-un lojtarët më të mirë dhe në formë, ku natyrisht në majën e podiumit qëndron Ergys Kaçe.

Pezullimi  – Por çfarë ka ndodhur realisht? Para një jave mesfushori i Kombëtare shqiptare mori një karton të verdhë në minutën e 85-të në ndeshjen ndaj Verias (3-1 për PAOK-un), në transfertë duke plotësuar numrin 7-të të kartonëve. Sipas rregullores së kampionatit grek, pas këtij kartoni, Kaçe pezullohet me dy ndeshje, dënim, të cilin duhet ta shlyejë në harkun kohor të katër javëve kampionat. Kë- sisoj, klubi i lojtarit, në rastin konkret PAOK-u, është i detyruar që të zgjedhë dy mes katër ndeshjeve të radhës: PAOK-Ergotelis; Panathinaikos-PAOK; PAOK-Asteras Tripolis dhe PanthrakikosPAOK, se në cilat do të mungojë lojtari. Zgjedhja më pas i konfirmohet federatës, që në fillim të javës dhe për rastin në fjalë trajneri Anastasiadis preferoi dy takimet e radhës.

Kritikat – Ndërkohë, tifozët dhe mediat, kryesisht ato pro klubit selanikas janë “derdhur” në kritika, duke qenë se sipas tyre, një lojtar si Kaçe duhej të mungonte në ndeshjet më të lehta për PAOK-un: ndaj Ergotelisit dhe Panthrakikosit, skuadra këto që renditen në vendet e ulta të klasifikimit në kampionatin grek. Madje, mediat e ndryshme (sportdog.gr; paokmania.gr, etj), shkojnë deri aty sa nisin e ironizojnë me trajnerin e PAOK-ut, duke i kërkuar këtij të fundit nëse ai e njeh rregulloren e federatës apo jo. “Duket e çuditshme sesi trajneri zgjedh të luajë pa Kaçen, lojtari më i mirë gjatë këtij sezoni në ndeshjen ndaj Panathinaikosit. Pyesim: A e njeh rregulloren tekniku?”, shkruhej dje në këto media.

Trajneri  – Nisur nga shkrime dhe shqetësimi i tifozëve, Anastasiadis është detyruar të japë shpjegime për pezullimin e Kaçes. Për trajnerin, mesfushori shqiptar nuk është në formën e tij më të mirë gjatë kësaj periudhe, ndaj i nevojitet që të qëndrojë paksa pushim me qëllim që të mund të rikuperojë. “Duke qenë se gjatë kësaj kohe kemi pasur një kalendar të ngjeshur, pasi janë luajtur takime çdo mesjavë dhe fundjavë, nisur nga ndeshjet që kemi përpara dhe forma e lojtarit gjykova se është më mirë që ai të kryejë pezullimin në dy takimet e radhës”, ka shpjeguar Anastasiadis.