Ergys Kaçe, 34 euro për një minutë

Mesfushori shqiptar njihet për temperamentin e tij luftarak në fushën e lojës. Te PAOK-u, nuk është ndër më të paguarit, megjithatë shifrat tregojnë një vlerësim në bazë të paraqitjeve dhe kontributit që ai bën për ekipin, shkruan “Panorama Sport”.

Mesatarisht, Ergys Kaçe paguhet rreth 34 euro për një minutë “luftë” në fushën e lojës. Shtatshkurtri është vlerësuar edhe si lojtari më i mirë i vitit që ka rritur edhe vlerën e tij financiare në tregun e transferimeve.

Kjo ka qenë edhe një strategji e drejtuesve të ekipit për t’i rritur vlerën Kaçes, në një moment që interesimi i skuadrave të ndryshme është rritur për kartonin e tij. Kaçe është nën kontratë deri në fund të vitit 2017 me skuadrën greke, që po tenton ta rinovojë edhe më tej këtë kontratë me futbollistin.