Ka përfunduar vëllazërorja ndërmjet Kosovës U17 dhe Shqipërisë U17 me këtë rezultat

Kombëtarja e Kosovës U17, sot, e ka zhvilluar ndeshjen miqësore kundër Kombëtares së Shqipërisë të së njëjtës grupmoshë.

Dardanët U17 pësuan humbje me rezultat 0:2 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje e cila të dyja ekipeve u shërbeu për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet kualifikuese.

Të dy golat u shënuan në pjesën e parë, ku në minutën e 18-të shënoi Ledio Tresan, ndërsa 8 minuta më vonë epërsinë e mysafirëve e shtoi Orsi Agea.

Përzgjedhësit Arsim Abazit i munguan shumë futbollistë të cilët luajnë nëpër skuadra evropiane për shkak të angazhimit nëpër ekipet e tyre. Por, të njëjtit pritet t’i bashkohen Kosovës U17 në kualifikimet për Evropianin 2022.

Gjithsesi kjo ndeshje do t’i shërbejë përzgjedhësit Abazi për të formuar ekipin ideal për ndeshjet kualifikuese të muajit të ardhshëm.

Pavarësisht rezultatit jo të favorshëm në miqësoren e sotme, Abazi u shpreh i lumtur me paraqitjen e futbollistëve të tij.

Ndeshjet zyrtare të Kosovës U17 do të jenë më 6, 9 dhe 12 tetor në Austri, ku Dardanët do të përballen me Austrinë, Ishujt Faroe dhe Slloveninë.

Lirim Kastrati shënon gol të çuditshën në Kupën e Polonisë (VIDEO)

Më në fund, Juventusi shënon fitoren e parë në Serie A