Juventusi pas dyshes së Palermos

Një ofertë të vetme për paketën ofensive të skuadrës së Palermos. Juventus kërkon të rrëmbejë dy talentet e skuadrës siçiliane Paulo Dybala e Franco Vazquez. Klubi bardhezi po punon me intensitet që çështja të mbyllet brenda muajit qershor pasi konkurrenca për të shkëputur dy sulmuesit nga ekipi i Zamparinit është e madhe. Administratori i deleguar Beppe Marotta është takuar me presidentin siçilian dhe agjentët e dy lojtarëve por nuk dihet ende shuma që Juventus i ka premtuar Palermos që kërkon të përfitojë sa më shumë.

Nga daljet publike, Zamparini ka lënë të kuptohet se vështirë që mund të zbresë poshtë kuotës 40 milionë Euro për Dybala, por në krahun tjetër, shoqëria torineze synon ta ulë sa më shumë vlerën me disa propozime për huazim.

Në krahun tjetër qëndron edhe Arsenali. Wenger synon t’ia plotësojë dëshirën klubit siçilian, por në mes qëndron vetë talenti argjentinas, fjala e të cilit do të peshojë shumë. Një hipotezë tjetër e mundshme për të ardhmen e 20-vjeçarit është edhe Paris Saint Germain. Mes Palermos dhe klubit francez marrëdhëniet janë pozitive pasi në një operacion të ngjashëm u finalizua edhe transferimi i Javier Pastores drejt kryeqytetit francez. Për të plotësuar tablonë e skuadrave që janë vënë në ndjekje të Dybalas nuk mund të anashkalohet edhe Chelsea i Jose Mourinhos.

Portugezi i ka vlerësuar aftësitë teknike të lojtarit dhe nuk përjashtohet mundësia që të hyjë në garë me një ofertë faraonike. Për momentin Palermo fërkon duart pasi ankandi po e rrit ndjeshëm vlerën e lojtarit. Marotta është në dijeni të kësaj situate, prandaj propozimi më i fundit për transferimin e të dy lojtarëve ne “Juventus Stadium” mund të jetë një formulë e suksesshme për të bindur presidentin e ekipit nga jugu i Italisë.