Juventusi kërkon numrin 10

Përsëri pa një numër 10. Por aty ku eksiton një problem zakonisht ekziston edhe një mundësi: Tevez është larguar te Boca dhe ka lënë të lirë fanellën më të kërkuar, për rrjedhojë kanë filluar kërkimet për të gjetur një kampion tjetër të cilit mund t’i besohet numri 10. Kërkime që përputhen me dëshirën e madhe të Massimiliano Allegrit që, pasi ka përshëndetur Tevez, kërkon të ketë në dispozicion një numër dhjetë të vërtetë, nga ata që kanë vizion loje dhe mund ta mbulojnë në mënyrën e duhur pozicionin mbrapa dy sulmuesve.

Oscar

Zgjedhja ideale do të ishte Oscar, fantazisti që më shumë pëlqehet nga Allegri. Braziliani i Chelsea-it me Mourinhon nuk ka ka luajtur shumë në Premier League, por tekniku portugez kërkon ta mbajë. Juvja po mendohet. Nëse do të shitet Pogba nuk do të ketë probleme për të shkuar në Londër dhe për ta mbyllur operacionin. Por, nëse francezi do të qëndrojë operacioni për të siguruar brazilianin do të vështirësohej. Në këtë pikë objektivi do të ishte egjiptiani Salah i Fiorentinës, por që është në pronësi të Chelsea-it.

De Bruyne dhe Isco

Nga Anglia në Gjermani. Kevin De Bruyne, 23 vjeç, i Wolfsburgut, fantazist belg, një nga me të mirët në Bundesligë, është ëndrra tjetër e bardhezinjve. Numri dhjetë do t’i rrinte mirë mbi shpatulla: i riu mund të luajë si mesfushor krahu, por edhe si fantazist. Një emër tjetër është ai i Iscos, fantazisti i Real Madrid, një nga të rinjtë më të talentuar të Europës. Nuk e ka të sigurt vendin si titullar në Madrid, por Florentino Perez nuk ka ndërmend të bëjë të njëjtin gabim që bëri edhe me Moratan.

Marchisio dhe Dybala

Në fund, ka edhe zgjidhje të tjera. E para është ajo që fanella të mos i jepet askujt. Mund të ndodhë, pse jo, duke parë se blerjet e reja nuk kanë karakteristikat për ta marrë. Ndoshta Dybala: por është i ri dhe do të rrezikonte të digjej. Është një talent që duhet lënë të rritet i qetë, pa presione. Zgjidhja e dytë është ajo për t’ia dorëzuar Claudio Marchisios, kampion i rritur tek Juventusi, që përfaqëson të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Dy vite më parë është paraqitur kjo hipotezë, por Claudio zgjodhi të mbante fanellën me numrin 8. Ndoshta mund të ketë ndryshuar mendje, ku i dihet.