Juventus e kaloi lehtë derbin, Buffon e theu rekordin

Juventusi nuk gabon në kampionat, pasi sot fitoi derbin e qytetit përballë Torinos me rezultatin e thellë 4-1 dhe vijon të shkëputet në krye, pasi tani e sheh veten plot 7 pikë përpara Lazios së vendit të dytë.

Në një deri të veçantë për Gianluigi Buffon, i cili luajti takimin numër 648 në kampionat dhe vendosi një rekord si lojtari me m shumë ndeshje në Serinë A, bardhezinjtë bënë gjithçka mirë dhe morën një 3-pikësh tërësisht të merituar, transmeton ss.

Ndonëse pritej më shumë rezistencë, Torino e nisi keq takimin dhe pësoi gol që në minutën e dytë, kur Paulo Dybala u fut bukur në zonë dhe gjuajti saktë me të majtën, ndërsa topi u devijua edhe nga një mbrojtës i skuadrës “granata”, për t’u ndalur në rrjetë.

Në minutën e 29’ ishte kolumbiani Juan Cuadrado që shënoi edhe golin e dytë për Juventusin, pasi bëri gjithçka mirë në zonë dhe mposhti sërish portierin Sirigu, ndërsa vetëm pas këtij goli, Torino u zgjua dhe provoi të reagojë.

Në minutat shtesë të pjesës së parë De Ligt ndali me dorë një gjuajtje drejt portës, ndërsa me dy minuta vonesë, arbitri kryesor u sinjalizua nga VAR-i për të rishikuar aksionin dhe pasi e bëri këtë, akordoi penallti për Torinon.

Nga pika e bardhë e 11-metërshit shkoi kapiteni i “granatave” Andrea Belotti, i cili u tregua i saktë dhe shënoi golin që rihapi takimin, ndërsa Buffon kuptoi krahun, por nuk arriti të bëjë asgjë për të ndalur topin.

Pjesa e dytë nisi gjithashtu mjaft mirë për Torinon, që iu afruar disa herë rrezikshëm kuadratit të Buffon, por pikërisht në momentin më të mirë të “granatave”, Juventus gjeti edhe golin e tretë me Cristiano Ronaldon, i cili shënoi pas një ekzekutimi perfekt të një goditjeje dënimi.

Ky gol shoi shpresat e Torinos se mund të shmangte humbjen në “Allianz Stadium”, ndërsa në minutat e fundit ishte mbrojtësi i “granatave” Djidji, që shënoi në portën e tij dhe vulosi rezultatin 4-1 në favor të Juventusit.

Me këtë fitore bardhezinjtë provojnë të shkëputen në krye të renditjes me 75 pikë, 7 më tepër se Lazio e vendit të dytë, që në mbrëmje do të përballet me Milanin në Olimpico.