Jo vetëm tri pikët, por Kosova ndaj Irlandës së Veriut fitoi edhe një super futbollist si Donat Rrudhani: Realiteti i së enjtes më i bukur se ëndrrat e mija

Të gjithë u befasuan kur e panë në fushë nga minuta e parë, për më tepër në një pozitë aspak të zakontë me atë që jemi mësuar ta shohim Donat Rrudhanin te Aarau në Zvicër.

Mesfushori nga fshati Roganë komuna e Kamenicës mbrëmë në ndeshjen mes Kosovës dhe Irlandës së Veriut ka qenë ndër më të mirët në fushë, edhe pse trajneri Alain Giresse e kishte vendosur si mbrojtës të krahut të majtë, pozitë që Rrudhani e kishte luajtur vetëm një herë në karrierën e tij dhe atë dy vite e gjysmë më parë.

23-vjeçari ka pasur kontakt 76 herë me topin, derisa ka bërë 51 pasime të sakta apo me përqindje prej 89 për qind.

Të gjithë të pranishmit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ u mahnitën nga paraqitja e Rrudhanit, derisa rrjetet sociale janë mbushur me fotografi të tij të ndeshjes dhe lëvdata gjithandej.

Kosova përveç fitores ndaj Irlandës së Veriut fitoi edhe një futbollist të jashtëzakonshëm i cili dha gjithçka nga vetja për t’i ndihmuar bashkëlojtarët për të marrë tri pikë të mëdha.

Në një prononcim për Telegrafin, djaloshi nga Rogana flet për ndeshjen dhe si erdhi ideja për të luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes.

“Kam pasur një bisedë me trajnerin i cili më tregoi se jemi keq në mbrojtje me mungesa dhe më pyeti nëse jam i gatshëm të luaj në atë pozitë. Natyrisht se jam përgjigjur pozitivisht, pasi i thash se jam gati të luaj në çdo pozitë që më kërkohet vetëm e vetëm për të ndihmuar Kosovën”, deklaroi Rrudhani.

Tutje Rrudhani thotë se është ndier shumë mirë në atë pozitë edhe pse kishte luajtur vetëm dy vite e gjysmë më parë të njëjtën pozitë.

“Ka qenë më mirë se që kam pritur. Por të thënë të drejtën më kanë ndihmuar shumë edhe shokët e ekipit si Amiri, Mirlindi, Samiri apo Zymeri. Ishte shumë bukur dhe më e rëndësishme që fituam”, tha Rrudhani.

Për Rrudhanin është një javë fantastike, pasi ditë më parë ai kompletoi transferimin te gjiganti zviceran Young Boys Bern nga Aarau, derisa mbrëmë bëri debutimin me Kosovën.

“Ka qenë një javë që do ta mbajë gjatë në mend, transferimi te Young Boys dhe debutimi me Kosovën nuk do ta harrojë kurrë këtë javë”, tha anësori këmbëshpejtë.

Ishte një moment në pjesën e parë kur gjithë stadiumi filloi ta thërriste emrin e tij, derisa në minutën e 75-të kur Rrudhani u largua nga loja shkaku i lëndimit, të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë për ta duartrokitur.

Ai thotë për Telegrafin se debutimi me Kosovën ka qenë më i bukur se sa në ëndrrat e tij.

“Të them të drejtën kam parë shumë shumë ëndrra duke luajtur për Kosovën, por asnjëra nuk ka qenë më e bukur se debutimi i mbrëmshëm. Ka qenë gjithçka fantastike dhe më e rëndësishme fitorja. T’i dëgjosh tifozët duke thirrur emrin tënd në pjesën e parë dhe pastaj kur u zëvendësova shikova stadiumin të gjithë në këmbë duke më duartrokitur ka qenë diçka që ishte e pabesueshme dhe shumë e bukur për mua”, vazhdoi Rrudhani.

Rrudhani vjen nga fshati Roganë, komuna e Kamenicës një fshat që njihet shumë për dashurinë që ka për futbollin. Ai tregon se kishte dhjetëra familjarë të pranishëm në stadium që e bën shumë emocionuese debutimin e tij.

“Sa bileta i ke blerë për familjarët? Hahaha… Kërkesa ka pasur shumë, por unë ia kamë dhënë babit 25 bileta që i kam blerë dhe sigurisht që në stadium ka pasur edhe tri ose katër herë më shumë familjarë nga Rogana. Pas ndeshjes i kam takuar dhe ka qenë shumë emocionuese për mua të mbështetem nga njerëzit e mi”, tha Rrudhani.

Krejt në fund ylli i ri i Dardanëve thotë se është lënduar qysh në pjesën e parë, por vazhdoi dhe pret që të jetë i gatshëm edhe për të dielën ndaj Greqisë.

“Në pjesën e parë kam pësuar një lëndim ku mbrojtësi mysafirë më ka ngul thumbin e këpucëve në këmbë, por kam vazhduar. Gjithsesi zëvendësimi erdhi shkaku i ngërçit që pata dhe tani do të shikojnë mjekët gjendjen time”.

“Besoj se do të jem gati për të dielën dhe të japim maksimumin që të marrim rezultat pozitiv edhe në Greqi”, u shpreh Rrudhani.

Rrudhani ka një histori të jashtëzakonshme, pasi ai së bashku me familjen në vitin 2012 ishin larguar në këmbë si refugjatë ku kishin bërë një muaj për të arritur në Francë.

Kamenicasi është shkolluar dhe ka filluar karrierën futbollistike në Francë, para se të transferohet në Zvicër tek skuadrat e vogla si AS Timau e Black Stars, derisa nga viti 2019 është pjesë e Aaraus.

Nga edicioni i ri, Rrudhani do të jetë ylli i ri i kampionit të shumëfishtë të Zvicrës, Young Boys Bern.

Kujtojmë që për Rrudhanin kjo ishte ndeshja e tretë me Kosovën, por debutim sa i përket ndeshjeve zyrtare pasi dy të parat i kishte zhvilluar vitin e kaluar në një kamp të organizuar në Turqi nga përzgjedhësi, Bernard Challandes.

Gerhard Progni është futbollist i ri i Llapit, nuk transferohet tek Prishtina

Kosova me shumë ndryshime edhe ndaj Greqisë: Do të kthehen Aliti e Muric, por do të mungojnë katër futbollistë të rëndësishëm