Jehona Shala është një storie suksesi se si futbollistet femra mund të shkruajnë historinë

 

Vllaznia për vajza është ekipi i cili ka fituar 10 herë titullin kampion në Superligën e Femrave në Shqipëri duke kaluar në raundet kualifikuese të “UEFA Women’s Champions League.

Vitin e kaluar skuadra nga Shkodra arriti të kualifikohet në fazën e grupeve duke qenë në mesin e 16 skuadrave më të mira të kontinentit.

Jehona Shala është një storie suksesi se si futbollistet femra mund të shkruajnë historinë dhe të jenë të sukseshme në karrierën që ato përzgjedhin, pa marrë parasysh sfidat. Si futbolliste e Vllaznisë dhe njëkohësishtë pjesë e Kombëtarës së Futbollit të Kosovës, Jehona Shala ka dhënë një intervistë ekskluzive për Gazetën OLLE duke rrëfyer shumëçka nga jeta e saj profesionale.

22 vjeçarja fillimisht ka folur për emocionet në kompeticionin më prestigjoz të futbollit evropian  “UEFA Women’s Champions League” duke thënë se beson që është ëndrra e secilit t’a përjetoj ndjenjën e himnit të Champions League, ndërsa sa i përket suksesit të 10-fishtë të klubit nga Shkodra, Jehona tregon se është zinxhir menaxhimi i cili funksionon deri në detaje, duke mos anashkaluar asgjë.

“Te veçant mund të thoja që është ekip shkodran, dhe kanë një shprehje “me kan shkodran tana i ban” por do të shtoja që pjesë e suksesit është edhe mirë menaxhimi i situatave dhe gjërat e shikuara mirë deri në detajet më të vogla.”

Jehona me prejardhje nga Prizreni, fillimet e saj ka luajtur edhe për ekipet kosovare dhe vlerëson nivelin e Superligës së Kosovës me atë të Shqipërisë si të përafërt, pasi që zhvillimi i futbollit të femrave ka filluar njëkohësisht në dy shtetet, dhe dita ditës po avancon ky sport për femra.

“Mendoj që niveli është i perafërt, të dy shtetet jemi të reja në futbollin e femrave por e rëndësishme është që po ecim me hapa të sigurt.”

Qendërsulmuesja prizrenase aktualisht është pjesë e Vllaznisë dhe ka një kontratë të gjatë me këtë ekip mirëpo në lidhje me planet dhe dëshirën e saj për karrierë në arenën ndërkombëtare nuk e anashkalon edhe mundësin që të kalojë edhe në Evropë.

“Ëndrra ime është t’a bëj krenare familjen time, ekipet evropiane kanë standarde më të larta dhe do doja që të isha pjesë e tyre.”

Jehona gjithashtu vitin e kaluar arriti të shënojë të vetmin gol në Ligën e Kampionëve, dhe atë të kualifikimit të Vllaznisë ndaj sllovakëve të Spartak Myjava duke vazhduar me sukseset tjera, dhe bashkë me ndeshjet kundër Chelsea, Real Madrid e PSG i cilëson si disa prej momenteve më të bukura të jetës profesionale.

Kontributin e saj nuk e kursen as te ekipi Kombëtarë i Kosovës, dhe e vlerëson si një ndenjë të papërshkrueshme të jetë pjesë e objektivave të Kombëtarës dhe thotë se ka angazhim maksimal në grumbullimet te Kosova.

“Ekipi Kombëtar i Kosovës padyshim që është nder dhe krenari për mua”

Sigurisht që një pjesë e rëndësishme e futbollit si te meshkujt ashtu edhe te femrat është tifozëria, megjithatë te kjo e fundit ka munguar përkrahja maksimale nga tribunat por Shala tregon se interesimi po rritet vazhdimisht dhe po i përkrahin më shumë se në fillimet e tyre që nënkupton motiv shtesë për punën dhe sukseset e tyre.

“Përkrahja nuk po mungon pasi që jemi duke avancuar gjthmonë, ne po rritemi në futbollin e femrave dhe tifozë na shtohen.”

Edhe pse mbështetja në tribuna është e kënaqshme megjithatë egzistojnë ende paragjykimet e njerëzve të cilët mendojnë se futbolli është sport vetëm për meshkuj dhe jo për femra, Jehona thotë që këto faza i kanë kaluar dhe nuk i shohin më si pengesa drejt objektivave të tyre.

“Besoj që një ndër sfidat që kemi ne femrat në Kosovë është paragjykimi që futbolli është vetëm për meshkuj, por mendoj që ketë problem e kemi kaluar të gjitha femrat. “

Për fund Jehona ka një mesazh për të gjithë mbështetësit e saj, duke u munduar të jap 100% të vetës në drejtim të atyre që besojnë në të.

“Dua që ata t’a dinë që jam shumë mirënjohëse për ta dhe do të mundohem që të mos i zhgënjej kurrë dhe do të sigurohem që do t’a jap më të mirën nga vetja .” përfundon ajo.

Erjona Bilalli – Gazeta OLLE

 

 

 

 

Arijon Ibrahimovici flet si lojtar i Frosinones: Modeli im Goretzka, gati për të debutuar në Serie A

EFE: UEFA hap dosje kundër Rumanisë për thirrjet kundër pavarësisë së Kosovës