E ardhmja e Armando Brojës mund të vendoset brenda javës së ardhshme.
Ky është lajmi që ka publikuar sot e përditshmja e njohur britanike “The Guardian”, e cila ka theksuar se si klubi i Southamptonit dhe i Chelseat kanë nisur bisedime konkrete për të vendosur se çfarë do të ndodhë me sulmuesin e talentuar të përfaqësues shqiptare, i cili është bërë një nga emrat më të përfolur në Angli.
“Futbollisti 20-vjeçar ka shënuar pesë gola në kampionat që kur iu bashkua skuadrës së Ralf Hasenhutl në fillimin e sezonit dhe Southempton do të dëshironte të firmoste me lojtarin një kontratë jo në huazim. Mbetet të shihet nëse sulmuesi i kombëtares shqiptare është apo jo pjesë e planeve afatgjata të Chelseat. Situata pritet të bëhet më e qartë këtë javë, me Southempton e ndërgjegjshëm që klube të tjera do të interesohen për të nëse transferimi do të jetë i mundshëm”, shkruan “The Guardian”.
“Thomas Tuchel, i cili pa nga afër Brojën gjatë fazës përgatitore në verë, mund të dëshirojë të shohë nëse shqiptari është në gjendje të ketë një impakt në sezonin e ardhshëm te kampionët e Evropës. Mendohet se Brojës do t’i jepet mundësia të tregojë aftësitë në ekipin e parë nëse ai do të jetë pjesë e klubit edhe në sezonin e ardhshëm. Sulmuesit e Chelseat kanë vuajtur për të gjetur vazhdimësi në këtë sezon dhe Tuchel ishte kritik ndaj Romelu Lukaku pasi skuadra e tij u mund të shtunën 1-0 nga Manchester Cityt”, thekson ndër të tjera ky artikull i cili shtonte dhe se tifozët janë në krah të Brojës.
“Tifozët e Chelseat do të dëshironin që Brojës t’i jepet një shans. Ata kanë parë pjesëtarë të akademisë si Mason Mount, Reece James, Trevor Chalobah dhe Kallum Hudson-Odoi të tregojnë veten në ekipin e parë, por ishin të shqetësuar teksa shihnin të rinj të tjerë të largoheshin gjatë verës së fundit”, tregon e përditshmja britanike në shkrimin e saj rreth sulmuesit kuqezi.