Jashari: Fitorja dhe raundi që e kaluam ishte për Intelektualët, ndaj Feyenoordit njëjtë si ndaj Deçiqit

Drita është bërë skuadra e parë kosovare që kalon një raund në UEFA Conference League.

Gjiganti kosovar u përballë me ekipin shqiptar nga Mali i Zi, të cilin e mposhti në dy ndeshje.

Takimi i zhvilluar në Prishtinë i takoi Dritës me rezultat 2-1, derisa bardhekaltërtit triumfuan edhe në Podgoricë 0-1.

Njëri nga futbollistët më të mirë të Dritës në këto dy takime ka qenë mesfushori Muharrem Jashari, që ishte shkatërrues i thuajse çdo aksioni të kundërshtarëve dhe natyrisht ndërtues i aksioneve të gjilanasve.

Jashari po del të jetë një goditje e madhe e Dritës në këtë afat kalimtar të verës, pasi numri 10 ka treguar formë të lartë si në ndeshjet miqësore ashtu edhe në garat evropiane.

Në një prononcim për Gazetën Olle, Jashari ka thënë se ka qenë një fitore e madhe e skuadrës së tij, por edhe e merituar.

“Ka qenë një fitore e madhe, por edhe e vështirë. Mund të them lirisht se e kemi merituar kalimin tutje pasi në dy ndeshjet kemi luajtur më mirë dhe kemi krijuar raste më shumë se kundërshtari ynë”, tha Jashari për Gazetën Olle.

Mesfushori mitrovicas këtë fitore dhe kalimin e raundit të parë në UEFA Conference League ia ka dedikuar tifozëve të zjarrtë të Dritës, Intelektualëve.

“Kjo fitore që e kemi arritur dhe raundin që e kaluam i dedikohet tifozëve tanë të zjarrtë Intelektualëve, pasi na kanë përkrahur gjithmonë”, tha Jashari.

Tutje ish anëtari i Trepçës ’89 ka folur edhe për kundërshtarin e radhës të gjilanasve në Evropë, që është gjiganti holandez Feyenoord Roterdam.

“Të gjithë e dimë se kush është Feyenoordi dhe çfarë historie ka, por ne do t’i qasemi njëjtë si kundër Deçiqit me shumë përgjegjësi dhe angazhim, edhe pse jemi të vetëdijshëm se do të jetë shumë vështirë ndaj tyre”

“Për mua normalisht që është emocion i veçantë të luaj kundër një skuadre si Feyenoord, por si futbollist profesionist do të jap maksimumin për ta ndihmuar skuadrën time Dritën”, përfundoi Jashari. /Gazeta Olle/

 

Fjalët e para të Elbasan Rashanit si futbollist i Clermont

Shatri: Nder për ne që luajmë për Kosovën, do të japim më të mirën ndaj Qipros dhe Luksemburgut