James i bindur: E mposhtim Atleticon

Ishte një rikthim ëndrrash për James Rodriguez ndeshja me Granadën, ku Reali i Madridit shpërtheu në një festival golash. Për shkak të dëmtimit, talenti kolumbian nuk luante që prej Shkurtit dhe tani ai ndihet jo vetëm i fortë, por edhe i motivuar për triumfin në Champions League.

“Kishin kaluar gati 2 muaj, por këmba nuk më tradhtoi. Prania në Bernabeu duke dëgjuar tifozët të thërrisnin emrin tim ishte një ëndërr e bërë realitet. Shpresoj të vazhdoj kështu duke ndihmuar skuadrën në mënyrë që të marrim rezultate pozitive. Cdo ndeshje në vazhdim është e rëndësishme, por më i veçantë do të jetë derbi në Champions. Jemi të vendosur për ta mposhtur Atleticon në mënyrë që ta fitojmë sërish këtë kompeticion”.

Deri në pushimet e dimrit Los Blancos ishin të pathyeshëm me 22 fitore radhazi, por më pas ecuria e tyre pësoi një rënie të ndjeshme, duke dorëzuar edhe kryesimin e kampionatit. Për James, Reali është kthyer sërish i fortë dhe nga i gjithë ekipi ai veçoi Ronaldon, i cili shënoi plot 5 herë në portën e Granadës.