“Jam i shokuar, s’ka Zot që na merr titullin, nuk humbi as nga Barcelona”

Në qytetin e Prizrenit, sot kishte festë. I madh e i vogël e kishin lënë Drenasin, për të shkuar në qytetin antik ku u festuan titulli i kampionit. Skuadra nga Drenasi, Feronikeli e mundi Hajvalinë 1:0, derisa festa e titullit, ‘shpërtheu’.

Mirëpo, duket se drenicasit kanë festuar gabimisht pasi Feronikeli nuk e ka siguruar matematikisht titullin.

Nëse Feronikeli dhe Besa, e përfundojnë kampionatin me pikë të barabarta, do të vendoset titulli nga tri përballjet direkte ndërmjet këtyre ekipeve.

Feronikeli takimin e parë e parë e ka fituar 2:1 ‘në shtëpi’, kurse ndeshjen e dytë e ka barazuar në Pejë me shifrat 1:1. Ndeshja e tretë luhet të dielën.

Trajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu rrëfehet për Gazetaolle.com. “Feronikeli sot është shpallur kampion. Sot na kanë thënë se jemi kampion, por kur përfundojë ndeshja, na thanë se ende nuk jemi. Deri më tash janë llogaritur dy ndeshjet e para nëse përfundon kampionati me pikë të barabarta, kurse pas ndeshjes na thatë duhet shikuar të tre takimet. Kjo nuk është në rregull pasi këto gjëra shikohen dhe ndryshohen me rregullore, një vit përpara. Ne me gjitha forcat kemi luajtur sot, kam futur lojtarë me tre kartonë, për ta siguruar titullin matematikisht. Çfarë serioziteti është ky, fitoi Besa e neve na thanë jo, prisni. Është e çuditshme, jam i shokuar. Sot ne festuam, po luajnë me ndjenja të një qyteti. Është gjynah”, ka thënë Gani Sejdiu për Gazetaolle.com.

Përkundër të gjithave, Sejdiu nuk dorëzohet. “Nuk ka Zot që ma merr titullin. Krejt bota le të rrotullohet, nuk mund të ma marrin titullin. E kanë badihava. Edhe Barcelona po që se vjen, nuk më mposht në dy ndeshje. Për fund edhe diçka. Nuk kam asgjë kundër Federatës e askujt tjetër, por jam i shokuar se pse ndryshuan gjërat për pak minuta”, përfundoi Gani Sejdiu.